Nisin hetime mbi Agimin e Artë

13/08/2013 19:35

Policia e Vlorës ka nisur hetimin lidhur me ngjarjen e 11 gushtit në qytetin e Himarës, ku gjatë përkujtimores së shtetasit Aristotel Guma, eksponentë të “Agimit të Artë” bënë thirrje për luftë për të çliruar Himarën.

Në një deklaratë për mediat, Policia e Vlorës njofton se nga ana e strukturave te Drejtorisë Policisë së këtij qarku janë kryer te gjitha veprimet procedurale dhe materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë, në ngarkim të disa shtetasve shqiptarë dhe grekë për veprën penale “thirrje për urrejtje nacionale”.

Policia e Vlorës nuk saktëson se për sa persona bëhet fjalë, por thekson se po punohet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje.

Berisha: Himara, djep i atdhetarizmit shqiptar

Në një reagim në profilin e tij në rrjetin “Facebook”, kryeministri Berisha i konsideroi të tipit “nazist” nderimet e bëra nga Agimi i Artë, të ndjerit Aristotel Guma në Himarë.

Jo vetëm kaq, por kryeministri konsideroi se minoriteti, për të cilin Agimi I Artë u zotua se do të luftojë “deri në vdekje” për t’ia rikthyer “truallit mëmë të Greqisë”, nuk ka qenë kurrë prezent në Himarë.

“Një ceremoni mortore e politizuar deri në nazizëm. Ceremonia mortore e një grushti nazistësh vrau për së dyti Gumën. Himara në shekuj ka qenë dhe mbetet djep i atdhetarizmit shqiptar. Mjerim për të gjetur tek të vdekurit gjurmë të një minoriteti që nuk ka ekzistuar kurrë në Himarë”, shkroi nder te tjera kryeministri në largim.

Top Channel