Falsifikimet e rralla e me fantazi

10/08/2013 00:00

Një pasaportë botërore e falsifikuar në Shqiperi dhe e bllokuar në një pikë kufitare. Nje pasaportë të tillë mund ta shpikë vetëm mendja e një falsifikatori, pasi pasaporta botërore nuk ekziston, ka vetem pasaporta shtetesh, shërbimi dhe diplomatike.

Të tilla falsifikime me fantazi nuk kanë munguar në vendin tonë.

“Kemi dokumente të sajuara me fantazi. Kemi pasaportë me emrin Rodezi, e lëshuar nga shteti i Rodezisë, ndërkohë që nuk ka më shtet me emrin Rodezi, por sot kemi Zimbabven. Apo kemi pasaportë e lëshuar nga Republika e Satanait. Një rast i tillë është një pasaportë botërore që quhet e cila nuk është dokument identifikimi. Pra është një dokument i prodhuar me fantazi. Ky është një prej dhjetra rasteve të cilat ne i kemi gjetur në zyrën tonë. Janë ndalur personat që kanë zotëruar këto dokumente në pikat kufitare dhe kanë ardhur për ekzaminim në institucionin tonë”, thotë Viktor Hajdari, shef i Sektorit në Laboratorin Kriminalistik.

Viktima të falsifikimeve kanë rënë edhe zyrtarë të lartë të cilëve u është kopjuar firma.

“Duke patur një eksperiencë të gjatë në këtë punë kam patur raste që nga majat më të larta shtetërore deri tek njerëzit më të thjeshtë. Që nga piramida e shtetit e deri tek qytetari më i thjeshtë. Ne kemi ekzaminuar këtu falsifikim firme të Kryeministrit të Shqipërisë, kryetar bashkie, komune, kryetar gjykate, drejtorë policie etj”, thotë zoti Hajdari.

Për zotin Hajdari shteti duhet të rrisë elementët e sigurisë në dokumentat zyrtare.

“Unë sugjeroj që dokumentat e rëndësishme shtetërore duhet të implementojnë elementë sigurie në shkresat që prodhojnë. Psh, një dokument i dalë prej Kryeministrisë nuk mund të dalë me një fletë formati A4 të thjeshtë që shitet në treg, por duhet të dalë me një fletë formati A4 që duhet të ketë më së paku një element sigurie, që është filigrana”, deklaron ai.

Top Channel