Aksidenti i radhës, viktimë një 29-vjeçar

10/08/2013 00:00

Një aksident rrugor me pasojë vdekjen e 29-vjeçari është regjistruar mëngjesin e së shtunës në aksin Lushnjë-Rrogozhinë.

Sipas informacioneve të fundit, viktima e aksidentit, të ndodhur pranë fshatit Konjat, është identifikuar si shtetasi Adnand Dedej.

Burime policore lokale bëjnë të ditur se automjeti i drejtuar nga Dedej, një “Volvo” me targë “AA 337 FV”, u përplas me një kamionçinë dhe ra në oborrin e një shtëpie.

Burimet shtojnë më tej se nga përplasja e fortë kanë mbetur të plagosur edhe dy persona të tjerë, shtetasit Nertil Lila dhe Lorenc Staro, që po udhëtonin bashkë me viktimën.

Një ditë më parë një person humbi jetën në një aksident të ndodhur në Gjirin e Lalzit, pasi humbi kontrollin e mjetit që po drejtonte.

Policia e Durrësit njoftoi se shtetasi Behar Stafuka ishte në drejtimin e një kamioni, me targa “KR 87 03 A”, kur papritur doli nga rruga, u përplas me një shtyllë dhe ra në një hendek.

Dyshimet për këtë aksident ranë mbi tejkalimin e normave të lejuara të shpejtësisë së qarkullimit rrugor nga ana e viktimës, që po udhëtonte i vetëm.

Ky është aksidenti i pestë që shoqërohet me viktimë që nga fillimi i javës. Pak ditë më parë, një aksident ndodhi në rrugën e vjetër që lidh Durrësin me Tiranën, në Kodër Arapaj.

Drejtuesi i automjetit tip “Mercedes Benz” humbi kontrollin dhe si rezultat u përplas me një shtyllë betoni. Goditja ishte fatale për djalin 12-vjeçar që ndodhej në automjet me të atin, shtetasin Alfred Jusufi, 35 vjeç nga Linza e Tiranës.

Ndërsa të hënën një aksident tjetër u verifikua në orët e mëngjesit në qarkun e Shkodrës, ku si pasojë gjetën vdekjen dy persona. Burime policore lokale njoftuan se viktimat ishin bashkëshortët Hysni dhe Maje Brahimi, të cilët po udhëtonin me një veturë kur u përplasën nga një kamion.

Top Channel