Romët, padi bashkisë dhe policisë

09/08/2013 00:00

Mosreagimi i Bashkisë së Tiranës dhe Policisë së Shtetit për çështjen e romëve detyrojnë Avokatin e Popullit që t’i ndjekë penalisht këto institucione.

Përfaqësuesi i Avokatit, përveçse bëri thirrje për zgjidhjen e çështjes së strehimit të tyre, tha se një problem serioz është kujdesi shëndetësor ndaj tyre.

“I bëj thirrje zotit Burgaj dhe Policisë së Shtetit që të marrë masat për të ndjekur penalisht ata që persekutojnë qytetarët romë. Policia duhet të jetë e pranishme në këtë zonë për të mbrojtur popullsinë. Avokati i Popullit do të çojë në gjykatë të gjithë ata që nuk zbatojnë ligjin. Edhe Bashkisë së Tiranës i kërkojmë të marrë masa për strehimin e këtyre banorëve”, deklaroi Besnik Deda.

Ndërkohë, vetë banorët romë të dëbuar shprehen të indinjuar për këtë padrejtësi që po bëhet ndaj tyre, duke i lënë në qiell të hapur. “Kemi 10 ditë kështu, foshnjat në krahë, ca sëmurë e ca jo. Ikim andej këtej”, thotë një prej tyre.

“Kemi vënë një tendë përjashta ku është shtrirë burri që ka pasur dy herë infarkt. Si mund të rrimë kështu”, shprehet një tjetër.

Dy ditë më parë, përfaqësues të OSBE-së dhe BE në Tiranë takuan Avokatin e Popullit, Igli Totozani lidhur me këtë problem. Përfaqësuesi i OSBE-së deklaroi se në mbrojtje të të drejtave të njeriut duhet të sundojë ligji dhe jo betoni.

“Shpresoj që institucionet t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë: A duhet të jetë sundimi i betonit, apo sundimi i ligjit”, tha Robert Willton.

Top Channel