Protestë ndaj ndërtimit të HEC-it

09/08/2013 19:45

600 banorë të fshatrave Polis, Gostime dhe Polis Qendër në rrethin e Librazhdit rrezikojnë të mbetem pa ujë të pijshëm dhe pa vaditje për shkak të një vendimi për ndërtimin e një hidrocentrali të dytë në përroin ku furnizohen këto fshatra.

Bëhet fjalë për përroin Gur-Shpati ku në vitin 2006 u ndërtua një Hidrocentral me vendim të METE-s dhe të Këshillit të Komunës i cili do të shfrytëzonte ujin e përroit për prodhim të energjisë elektrike.

Por sipas banorëve, mbi këtë përrua nuk mund të ndërtohet një vepër e dytë energjetike pasi ujërat nuk janë të mjaftueshme për të mbuluar nevojat e komunitetit,i cili jeton vetëm me bujqësi.

Ata kanë penguar firmën të fillojë punimet, ndërkohë që zotohen se do ta mbrojnë me jetë ujin e këtij perroi i cili për ta do të thotë mbijetesë.

Sipas një shtesë kontrate koncesioni e cila daton në 15 shkurt të këtij viti mes METE dhe bashkimit të shoqërive “Arjana-C. Shpk”, “Ital PRO-KHTS. Shpk” dhe “Spahiu Gjanç. Shpk”,  u jepet e drejta këtyre shoqërive të ndërtojnë një HEC të dytë në këtë vend.

Banorët shprehen se nuk janë njohur me këtë shtesë kontrate e cila është bërë pa marrë mendimin e grupeve të interesit dhe pa kaluar në Këshillin e Komunës.

Ndërkohë, i kontaktuar nga Top Channel kryetari i Komunës, Veli Terziu mbështet protestat e banorëve duke e konsideruar të drejtë shqetësimin e tyre, por thekson ai, sipas ligjit, komuna është e pafuqishme të ndërhyjë në këtë vendim të METE-s.

Nga ana tjetër deputeti i PS, Taulant Balla i ka dërguar një shkresë ministrisë në fjalë për zbardhjen e këtij vendimi, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga autoriteti përgjegjës.

Situata paraqitet tejet e nderë në momentin kur banorët kërcënojnë se do t’i përdorin të gjitha mënyrat për të mbrojtur atë që u takon dhe nuk kanë munguar konfliktet fizike mes tyre dhe përfaqësuesve të firmës, sa është dashur ndërhyrja e policisë dhe shoqërimi i tyre në komisariat për të qetësuar gjendjen.

Top Channel