Procedim penal për Lezhën

09/08/2013 00:00

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterie Lleshi lexoi një vendim të gjatë të këtij insitucioni, që miratoi në unanimitet kërkesën për nisjen e procedimit penal të 50 komisonerëve dhe numëruesve të Qarkut Lezhë, përfaqësues të forcave kryesore politike në vend.

Ata ngarkohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me përgjegjësinë e manipulimit të rezultatit zgjedhor për dy zona të administrimit zgjedhor në Qarkun e Lezhës.

“U gjet se rezultati i pasqyruar nga grupet e numërimit në tabelat që dispononin subjektet zgjedhore dhe në tabelat e falsifikuara, ishin krejtësisht të ndryshme. Në këto kushte kanë konsumuar vepër penale dhe drejtoria juridike, në referencë të nenit 330 të Kodit Penal, KQZ ka përcaktuar dispozitën përkatëse për falsifikimin zgjedhor dhe materialit të zgjedhjeve”, deklaroi Skënder Vrioni, Sekretar i Përgjithshëm i KQZ-së.

Komisioni Qendor i Zgjedhjeve i nxori faktet e manipulimit të procesverbaleve pasi hapi dhe numëroi 10 kuti në Qarkun e Lezhës, nga të cilat rezultoi se për shkak të deformimeve të rezultatit nga Komisionerët dhe numëruesit, Partisë Demokratike i ishte hequr një mandat.

Duke ia dërguar këtë vendim, me provat përkatëse, Prokuriorisë së Lezhës, kryetarja e KQZ-së, Lefterije Lleshi beson se ky është një hap drejt konsolidimit të shtetit ligjor dhe zbatimit me përpikmëri të Kodit Zgjedhor.

“Pra transparenca e kutive të votimit, e hapjes së tyre, për kallëzimet penale për personat e ngarkuar me administrimin e procesit të votimit dhe numërimit të votave, të shpresojmë që këto dyja të shërbejnë për zgjedhjet e ardhshme për të gjithë komisionerët që të mos përsëriten gjëra të tilla më. Të shërbejë që nesër komisionerët të jenë shumë të përgjegjshëm në atë që marrin përsipër të bëjnë, kryerjen e detyrës së tyre, ta bëjnë atë në zbatim vetëm të Kodit Zgjedhor”, tha zonja Lleshi.

Me nenet e ngarkuara nga KQZ, 50 komisionerët dhe numëruesit që kërkohen për t’u ndjekur penalisht nga Prokuroria e Lezhës, mund të dënohen me burg nga 2-7 vjet.

Ky ashpërsim i Kodit Penal u bë rreth një viti më parë me kërkesën e Partisë Socialiste dhe me konsensusin e Partisë Demokratike.

Top Channel