Juristët për urdhrin e mbrojtjes

09/08/2013 19:40

Krimi i dyfishtë i pak ditëve më parë në Tiranë, ku një grua u vra nga bashkëshorti pak kohe pasi kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje në gjykatë, pothuajse i njëjtë me rastin e Valbona Çarçanit që u vra pasi kërkoi ndihmë për ta mbrojtur nga ish-bashkëshorti, ka ngritur mjaft pikëpyetje për funksionimin e ligjit të urdhërit të mbrojtjes.

Për policinë, paradoksi i parë i urëhërit të mbrojtjes qëndron në vendimet e shpallura nga gjykata kur konstatohet dhunë në familje, por gjyqësori vendos që edhe viktima edhe agresori të jetojnë në të njëjtën banesë.

“Janë rastet kur vendimi i gjykatës që përcakton që çifti të jetojë në një banesë. Në këtë rast është e pamundur të parandalosh ngjarje të tilla, pasi agresori dhe viktima janë në të njëjtin ambjent. Mbasë është e nevojshme që ligji të ndryshojë, por kjo është një çështje komplekse pasi janë disa institucione përgjegjëse për dhunën në familje, si Ministria e Shëndetësisë, pushteti lokal, etj”, deklaron Eduart Meshini, shef i patrullave të komisariati numër 4 të kryeqytetit.

Avokati Idajet Beqiri aktualisht përfaqëson në gjykatë katër shembuj të dhunës në familje dhe tek të gjitha këto raste palët kërkojnë urdhër mbrojtjeje si një shkak për të përfituar banesën.

“Zbatimi konkret i ligjit ka dështuar për shkak të paaftësisë së theksuar të gjykatave tona të shkallës së parë, kryesisht të asaj të Tiranës. Unë kam katër raste flagrante kur nusja e djalit është kurorëzuar ose bashkëjetojnë dhe për t’u marrë shtëpinë prindërve të tyre kanë kërkuar urdhër mbrojtjeje kundër babait dhe nënës”, tregon Beqiri.

Denisa Daka është në gjykatë përkrah femrave të keqtrajtuara në familje që nga viti 2006, kur ky ligj ka hyrë në fuqi dhe ka kërkuar për dhjetëra gra urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes. Sipas pikëpamjes së avokates, ky ligj ka nevojë urgjente të ndryshohet.

“Së pari duhet ndryshuar afati për lëshimin e urdhërit nga 48 në 24 orë. I padituri nuk duhet të marrë dijeni për lëshimin e urdhërit dhe agresori duhet të arrestohet menjëherë. Gjykata duhet të vendosë së bashkëshortët e ndarë nuk mund të qëndrojnë në të njëjtën banesë”, deklaron avokatja Daka.

Në të drejtën penale janë blinduar dënimet për akuzën e vrasjes në familje me dënime për autorët nga 20 vjet burg në burgim të përjetshëm, e po ashtu prokuroria po tregohet më e ashpër si asnjëherë, duke kërkuar dënime me burg me akzuën e dhunës në familje për mjaft persona.

Megjithatë, ajo që vihet re është se përveç krimeve që vijojnë të mbajnë të njëjtin trend shqetësues, gjithmonë e më shumë në komisariate po shoqërohen bashkëshortë që shkelin urdhërin e mbrojtjes të vendosur nga gjykata për ta, edhe pse gjyqësori u ka kërkuar të qëndrojnë në një distancë të caktuar.

Top Channel