Jemen, tjetër sulm me dronë, 14 viktima

09/08/2013 01:00

Të paktën 14 militantë të al-Qaeda-s janë vrarë në Jemen nga 3 sulme me dronë (avionë të telekomanduar), që supozohet se janë kryer nga SHBA-të, bëjnë të ditur zyrtarët.

Numri i sulmeve të tilla në Jemen është rritur në 7, që prej fundit të korrikut.

Sulmet e fundit vijnë një ditë, pasi autoritetet në Jemen thanë se kishin penguar një komplot të al-Qaeda-s ndaj naftësjellësve dhe porteve në gadishullin arabik.

Jemeni është konsideruar si bazë e një filiali të al-Qaeda-s, që konsiderohet nga Washington-i si më i rrezikshmi ndaj Perëndimit.

Forcat e sigurisë së Jemenit u vendosën në gjendje të lartë gatishmërie, pas një alarmi në fillim të javës, që i frikësohej një sulmi terrorist dhe që çoi në mbylljen e ambasadave të vendeve perëndimore.

Si SHBA-të edhe Britania tërhoqën stafet diplomatike nga Jemeni, si dhe paralajmëruan shtetasit e tyre të largoheshin nga vendi.

Të enjten, forcat anti-terroriste të Jemenit mësynë një sërë ambientesh në veri të kryeqytetit Sanaa, pas një njoftimi se ato po përdoreshin nga operativë të al-Qaeda-s në gadishullin arabik (AQAP), bënë të ditur burime nga shërbimet e sigurisë në Jemen.

Në një tjetër zhvillim, një burim diplomatik i Jemenit tha për filialin arab të BBC-së, se SHBA-të kishin pezulluar angazhimin e tyre për të rikthyer 100 të burgosur jemenas nga burgu i Guantanamos.

Gjithsesi, zyrtarë të administratës Obama thanë se politika nuk do të ndryshojë dhe se vendimi i muajit maj, i presidentit Barack Obama, për të hequr moratoriumin mbi transferimin e të burgosurve të Guantanamos, mbetet ende në fuqi.

“Ai hoqi moratoriumin për transferimin e tyre, në favor të vlerësimit çast pas çasti, i cili do të marrë parasysh të gjitha kushtet e sigurisë. Situata do të mbahet nën vëzhgim vazhdimisht”, tha një zyrtar për BBC.

Top Channel