Intervista e Edi Ramës në TCH

08/08/2013 23:00

Media greke i ka bërë jehonë intervistës së kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama, dhënë gazetarit të Top Channel, Muhamed Veliu.

“Rama trajton çështjen e kufirit me Greqinë”, titullohet artikulli, që i kushton gazeta prestigjioze greke Kathimerini, që nënvizon fjalët e z. Rama, se Tirana kërkon një zgjidhje me Athinën në çështjen e kufijve detarë midis dy shteteve.

Sipas Kathimerini, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë anuloi një marrëveshje territoriale të nënshkruar me Greqinë në 2009, që përcaktonte shelfin kontinental midis dy vendeve në detin Jon.

Gjykata – vazhdon artikullshkruesi, – argumentoi që marrëveshja kishte boshllëqe serioze ligjore, ndërsa më pas Athina nuk ka pasur dëshirë për të rinegociouar këtë marrëveshje.

Duke folur pak ditë pas një vizite jozyrtare në Athinë, gjatë së cilës u takua me zv. kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Evangjelos Venizellos, si dhe me kryeministrin Samaras, Rama shprehu besimin e tij, që marrëdhëniet me Greqinë do të përmirësohen.

Vështirësitë e së shkuarës do të tejkalohen – gazeta thekson fjalët e udhëheqësit të Partisë Socialiste në Shqipëri, duke iu referuar edhe faktit, që qeveria e drejtuar prej tij, në bashkëpunim me forcën tjetër të koalicionit të majtë, me të cilën korrën një fitore të thellë kombëtare ndaj Sali Berishës, fillon detyrën në shtator të këtij viti.

Sipas Kathimerini, Rama ka deklaruar se Tirana dëshiron të përmirësojë marrëdhëniet me Ankaranë dhe Romën, ndërsa ka bërë të qartë se forcimi i lidhjeve me Turqinë nuk ka pse shqetëson vendet fqinje.

Top Channel