“Zgjidhje urgjente për romët”

07/08/2013 00:00

Incidenti i shkaktuar për dëbimin e romëve pranë parkut të autobusëve për shkak se pronari i tokës do të bëjë një ndërtim në pronën e tij ka alarmuar përfaqësues të OSBE-së dhe Bashkimit Europian në Tiranë, të cilët kanë takuar të mërkurën Avokatin e Popullit, Igli Totozani.

Sipas përfaqësuesit të OSBE-së, në mbrojtje të të drejtave të njeriut duhet të sundojë ligji dhe jo betoni. “Shpresoj që institucionet t’i përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë: A duhet të jetë sundimi i betonit, apo sundimi i ligjit”, është shprehur Robert Willton.

Ndërsa përfaqësuesi i Bashkimit Europian në Tiranë ka rikujtuar edhe një herë se respektimi i të drejtave të komunitetit rom dhe gjithpërfshirja sociale e tyre është një ndër 12 prioritetet që duhet të përmbushë Shqipëria në rrugën drejt integrimit eropian ndaj institucionet shtetërore duhet të marrin masa të menjëhershme.

Avokati i Popullit i bën thirrje policisë të ndërhyjë për të zgjidhur situatën e krijuar. “Romët vazhdojnë të jenë nën kërcënim për t’u dëbuar me forcë. Kërkojmë që Policia e Shtetit të ndërhyjë dhe të ndalojë këtë situatë paligjshmërie të krijuar e që po vazhdon në terren. Zgjidhja për këtë çështje duhet të arrihet me një proces të rregullt ligjor, ku të jenë të përfshira pronari dhe familjet rome”, deklaroi Totozani.

Nga ana tjetër, Totozani i kërkon bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës dhe Çëshjteve Sociale të gjejnë zgjdhje të menjëhershme për strehimin e mbi 30 familjeve rome të gjendura në këtë situatë.

Top Channel