Venizellos për detin dhe toponimet

07/08/2013 00:00

Vizita e shkurtër e kryeministrit të ardhshëm, Edi Rama në Athinë, duket se edhe pse pa shumë jehonë nga qarqet zyrtare greke ka shkaktuar një riaktivizim të shpejtë të aksionit diplomatik, sipas gjasave edhe nga suksesi i takimeve të Ramës në Turqi.

Shefi i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, do të ndërmarrë shumë shpejt një vizitë zyrtare në Tiranë, ku do të rinisë me qeverinë shqiptare bisedimet e mbetura pezull për paktin detar, i cili u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë në vitin 2009.

Ambasadori i Shqipërisë në Athinë, Dashnor Dervishi, deklaroi dje për gazetën “Shqip” se në takimin që ka zhvilluar me zv.kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Greqisë, është biseduar çështja e marrëveshjes së ujërave, duke shtuar se është një problem jo i thjeshtë, por që kërkon një vullnet dypalësh për diskutim.

“Mund të them se ka një riaktivizim të kontakteve dhe është krijuar një frymë pozitive për të përmirësuar marrëdhëniet midis dy vendeve. Ka një vullnet për të zgjidhur si çështjen e paktit detar, por edhe problemin e toponimeve, për të cilin do të ngrihen grupe pune shumë shpejt dhe besoj se kjo çështje do të ketë ecuri të shpejtë për të gjetur rrugën e zgjidhjes”, deklaroi ambasadori Dervishi.

E përditshmja greke, “Kathimerini” shkruante në artikullin e saj dje se “Athina synon të kultivojë marrëdhëniet me Ramën, i cili luajti një rol kyç në rrëzimin e marrëveshjes së 2009-s mes Greqisë dhe Shqipërisë për krijimin e një zone ekskluzive ekonomike, e cila do të lejojë kalimin dhe eksplorimin e gazit. Një marrëdhënie e re në fushën e energjisë është lidhur mes dy vendeve muajin e shkuar kur Gazsjellësi Trans-Adriatik u vendos për të sjellë gazin natyror azer në Europën Perëndimore. Tubacioni do të kalojë nëpërmjet Greqisë dhe Shqipërisë”.

Top Channel