Pjesëmarrja e serbëve në zgjedhje

07/08/2013 23:10

Bisedimet Prishtinë-Beograd ndryshojnë formularët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për votuesit që ndodhen jashtë Kosovës. Kjo bëhet ekskluzivisht me qëllim që t’u mundësohet serbëve, të cilët e kanë braktisur Kosovën para 14 vjetësh, të votojnë në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Me urdhër të kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, janë hequr nga faqja online formularët, të cilët detyrojnë votuesit jashtë Kosovës të japin numrin personal të letërnjoftimit të Republikës së Kosovës apo ndonjë dokumenti tjetër të vlefshëm të Kosovës.

Tërheqja e formularëve është bërë pa vendimin e KQZ-së dhe një veprim i tillë, nga ana e kryetares, ka nxitur reagimin e ashpër të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila, në fakt, ishte ajo që ftoi mediat në mbledhjen e rregullt të KQZ-së, e jo KQZ-ja ashtu siç e detyron ligji.

Anëtari i këtij subjekti politik në KQZ kërkoi sqarim në mbledhjen e KQZ-së, për veprimet e kryetares Daka, por edhe vizitat e saj në Bruksel, në kuadër të bisedimeve Prishtinë-Beograd, pa u konsultuar me anëtarët e KQZ-së.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, u shfaq kritike në faktin se Vetëvendosje, për të çuar përpara axhenda politike, po ndërhyn në punën e KQZ-së, duke i ftuar mediat në mbledhjet e KQZ-së.

Ndërsa, sa i përket tërheqjes së formularëve, ajo tha se janë tërhequr, sepse formulari në gjuhën serbe nuk ka qenë në përputhje me ligjin për zgjedhje. Sipas saj, formulari në gjuhën serbe kërkon nga votuesit jashtë Kosovës, që të votojnë me dokumente të Kosovës, ndërsa në nenin 90 të ligjit për zgjedhje nuk është kështu.

Formularët e rinj ende nuk janë publikuar dhe mbetet e paqartë se, mbi bazën e cilit regjistër civil do të hartohet lista e votuesve, e cila do të mbajë edhe ata votues jashtë Kosovës, që nuk do të kenë nevojë të prezantojnë dokumente të Kosovës.

Sa i përket takimeve në Bruksel, kryetarja e KQZ-së tha se do t’i njoftojë me shkrim anëtarët e KQZ-së. Me tone negative, kryetares iu drejtua edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Fadil Maloku, i cili po kështu tha se KQZ-ja nuk është e njoftuar për ndryshimet për zgjedhjet, që po bëhen në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Top Channel