Miratohet projektligji për TVSH-në

07/08/2013 00:00

E asistuar nga specialistë të Komisionit Europian, qeveria Berisha ka miratuar një ligj të ri për tatimin mbi vlerën e shtuar, një ligj që integron në një draft çdo ndryshim të 17 viteve të fundit dhe e sjell atë në përputhje me direktivën përkatëse të Bashkimit Europian.

Ky draft do të shqyrtohet nga legjislatura e ardhshme, me shumicë  të majtë, e cila do të gjejë atje të përfshirë edhe vendimet e para pak muajve te qeverisë Berisha për heqjen e TVSH-së mbi çdo makineri dhe pajisje që nevojitet për prodhim.

Kjo ishte nje nga shtyllat kryesore të fushates elektorale të Partise Demokratike, që i kushtojne buxhetit më shumë se 160 milione euro.

“Duhet që të gjitha vendimet e marra për përjashtimet e makinerive për prodhim dhe të gjitha llojet e materialeve që përdoren për prodhim duhet të pasqyrohen përpara se ky të shkojë në parlament, pastaj shumica e ardhshme mund të marrë vendimet e veta, por ne do ta çojme në përputhje të plote me qëndrimet që kemi mbajtur”, deklaroi kryeministri Berisha.
 
Qeveria “Berisha”, e cila është në mbledhjet e fundit të saj, miratoi edhe kuotat për pranimin e të rinjve në universitete, duke ndjekur, sipas kryeministrit Berisha, politiken e dyerve të hapura.

Një platformë, qe siç tha ai, ndryshon tërësisht me planin e qeverise se re për arsimin e lartë.

“Natyrisht, në vitet që vijnë ka një platforme tjeter të qeverisë, platformë që synon rikthimin tek praktikat e vjetra të pranimeve universitare, por këtë platforme ne do ta kundërshtojmë me të gjitha praktikat dhe mjetet ligjore. Çdo qeveri ka të drejtë të marrë vendimet që do dhe të përballet me pasojat e tyre”, theksoi kryeministri në largim.

Qeveria vendosi edhe për shpronësimet që preken nga ndërtimi i linjave që lidhin Kaskaden e Devollit me sistemin e transmetimit shqiptar.

Duke theksuar se ky është investimi më i madh privat në të gjithë historinë e Shqipërisë, kryeministri Berisha vuri në dukje rëndësinë e ndertimit të Kaskadës së Devollit jo vetëm për punësimin e shqiptarëve, por edhe për të ardhmen energjitike të Shqipërisë.

Top Channel