Jemeni në “shtetrrethim”

07/08/2013 00:00

Forcat e sigurisë në Jemen janë vënë në gjendje gatishmërie të lartë, pas alarmit për sulme të mundshme të Al Kaedas në vend.

Mijëra trupa të ushtrisë patrullojnë në kryeqytetin Sanaa. Qindra prej tyre janë vendosur me tanke dhe armatime të tjera të rënda në godinat e përfaqësive ndërkombëtare dhe në aeroportin vendas.

Masat mbërrijnë pas alarmit të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara. Uashingtoni, më pas edhe Britania e Madhe, tërhoqën gjithë personelin diplomatik në vendin arab. Vendimi u mor pas përgjimit të një bisede telefonike mes dy udhëheqësve të Al Kaedas, ku njëri prej tyre ishte Ayman al-Zauahiri.

Autoritetet jemenase kritikuan tërheqjen e personelit diplomatik duke deklaruar se ky hap i shërbeu interesave të ekstremistëve. Ato njoftuan se kanë sabotuar një plan të Al Kaedas për të marrë kontrollin e disa pikave strategjike në vend.

Në plan, sipas tyre, përfshihej veshja e militantëve të Al Kaedas si ushtarë vendas dhe më pas marrja e dy qyteteve dhe të një porti në jug të vendit. Porti në fjalë ishte dera kryesore nga ku Jemeni nxjerr për eksport naftën e tij.

Korespondenti i BBC në Sanaa thotë se ka një prezencë të paprecedentë të ushtrisë në kryeqytet. Sipas tij, shërbimet vendase të inteligjencës kanë zbuluar se dhjetra militantë të Al Kaedas kanë hyrë në kryeqytet ditët e fundit, me të gjitha gjasat për përgatitjen e një sulmi terrorist madhor.

Burime të pakonfirmuara nga këto shërbime, cituar nga BBC thonë se plani terroriste parashikonte sulme vetëvrasëse në selitë diplomatike perëndimore dhe marrjen nën kontroll të ndërtesës së shtabit të përgjithshëm të ushtrisë vendase.

Sipas BBC, forcat speciale amerikane që ndodhen në Jemen për të trajnuar njesitet vendase, pritet të përfshihen në një operacion të shkallës së gjërë për goditjen e Al Kaedas në këtë vend.

Këto forca bashkëpunojnë ngushtë me CIA-n, e cila vetëm në 10 ditët e fundit ka ndërmarrë katër sulme me avionë pa pilotë ndaj objektivave terroristë.

Jemeni njihet si baza kryesore e Al Kaedas, jo vetëm në Gadishullin Arab, por në të gjithë Lindjen e Mesme. Së fundmi, ushtria vendase ka ndërmarrë disa operacione në jug të vendit duke shkatërruar disa baza terroriste.

Top Channel