Shpallen rezultatet përfundimtare

06/08/2013 00:00

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 23 qershorit, vendim ky që vjen 44 ditë nga mbajtja e procesit.

Koalicioni për Shqipërinë Europiane, i drejtuar nga Partia Socialiste ka marrë 83 mandate dhe Aleanca për Punësim, Mirëqënie dhe Integrim, i drejtuar nga Partia Demokratike 57 të tillë.

Rezultatet janë lexuar në mënyrë të detajuar nga kryetarja e Komisionit Lefterie Lleshi. Në këtë mënyrë procesi mund të quhet zyrtarisht i mbyllur.

Ndërkohe në këtë mbledhje të fundit për zgjedhjet e 23 qershorit, përfaqësuesi ligjor i PS-së, Genci Gjonçaj akuzoi KQZ-në për vonesë dhe mosplotësim të standardeve.

“Përgjithësisht procesi i numërimit eci mirë dhe besoj që jeni dakort që rezultati mund të kishte dalë shumë më shpejt. Por edhe në këtë proces, KQZ nuk mundi të mos i shërbente humbësit për të krijuar alibi për humbjen duke zgjatur nxjerrjen e rezultatit dhe duke bërë pis procesin. Megjithatë këto u gjetën të paligjshme nga Kolegji Zgjedhor. Procesi i rinumërimit shërbeu për të qartësuar gjithcka të pavërtetë që u tha ën Shkodër dhe Lezhë, pasi gjithcka që ka ndodhur, me përjashtim të 5 qendrave të votimit, pra shifrat e dala janë në kufijtë e gabimeve njerëzore që vijnë nga këndvështrimet e ndryshme të vlerësimit të një fletë votimi që nuk cënuan ligjshmërinë e rezultatit të votimit”, tha zoti Gjonçaj.

“Nuk mund të bashkohem me odet që iu thuren Kolegjit Zgjedhor, i cili vetëm para 3 ditësh uzurpoi kompetencat që ligji i jep KQZ-së, bëri vetë shpërndarjen e mandateve mes koalicioneve, brenda koalicioneve, shpalli listën e deputetëve. U çudita që nuk uzurpoi edhe kompetencën e shpalljes zyrtare të rezultatit, por ndoshta lodhja apo pushimet në vendet ekzotike po afrojnë me shpejtësi dhe nuk patën mundësi”, reagoi përfaqësuesi i PD-së, Ivi Kaso.

PD: Lezha, damka e turpit të fitores së PS

Partia Demokratike përshëndeti përfundimin zyrtar të procesit zgjedhor duke theksuar se ishte e angazhuar plotësisht për zgjedhje me standarde, ndërsa akuzoi Partinë Socialiste se minoi procesin duke tërhequr përfaqësuesit e saj nga KQZ.

Zëdhënësja e Selisë Blu, Laura Vorpsi deklaroi akuzoi gjithashtu socialistët, të cilët sipas saj, u përpoqën t’i vjedhin një mandat PD-së në Lezhë për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, njëjtë si me skemën e Dushkut në zgjedhjet e 2001.

“Zgjedhjet u përmbyllën me standarde. Kjo mazhorancë u angazhua plotësisht për arritjen e tyre, ndërsa PS minoi procesin duke u tërhequr nga KQZ. Lezha i vuri damkën e turpit fitores së PS. Në Lezhë PS u përpoq t’i vjedhë një mandat PD për të arritur shumicën e cilësuar prej 84 votash, njësoj si me Dushkun në 2001. Në Shkodër transparencë tregoi vjedhjen e qindra votave sipas parimit të përdorim c’do mjet për fitoren duke angazhuar paratë e pista dhe elementë kriminalë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD.

OSBE përshendet përmbylljen e procesit

Kryetari në detyrë i Prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Wilton, ka  mirëpritur përfundimin e procesit zgjedhor në Shqipëri. Në një deklaratë për mediat diplomati ka shprehur dëshirën për të nisur sa më shpejt bashkëpunimin me qeverinë dhe Kuvendin e ri, që doli nga zgjedhjet e 23 qershorit.

“Ne tani presim me dëshirë të bashkëpunojmë me parlamentin dhe qeverinë e re, që shpresoj se do të konstituohen pa vonesë, për ta shtyrë përpara axhendën e reformave të vendit dhe për të fuqizuar shtetin e së drejtës. Një demokraci funksionale, e cila ishte një aspiratë e shprehur nga qytetarët në votime, mund të arrihet vetëm me pjesëmarrjen dinamike të të gjitha partive të përfaqësuara në Kuvend. Nxitja e marrëdhënieve mes një Kuvendi të fortë e transparent dhe zgjedhësve të tij është një ndër veprimtaritë thelbësore të OSBE-së në Shqipëri dhe ne do të punojmë ngushtësisht me Kryetarin dhe anëtarët e Kuvendit për ta mbështetur këtë proces”, thotë Wilton në deklaratën e tij.

Ai shtoi se prezenca e OSBE-së do të vijojë të jetë aktive në punën e saj lidhur me zgjedhjet në vend, duke u bazuar, gjithashtu, edhe në gjetjet dhe rekomandimet e raportit të ardhshëm përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.

Top Channel