“Berisha, për pushime malore”

05/08/2013 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim është takuar me emrat me të cilët kjo forcë politike do të përfaqësohet në qeverinë Rama në shtator.

Në përfundim të takimit, Meta doli në një konferencë para gazetarëve. Ai tha se programi i qeverisë së re do të bëhet publik në kohën e duhur nga vetë kryeministri i ardhshëm, ndërsa komentoi edhe situatën e rënduar financiare të buxhetit të shtetit.

“Financat publike kanë degraduar në një mënyrë dramatike, sidomos gjatë muajve përpara fushatës elektorale vetëm në funksion të kësaj fushate dhe të objektivave elektorale të Partisë Demokratike. Megjithatë unë jam i bindur se do të bëhet një transparencë e plotë e situatës financiare dhe se qeveria e ardhshme do të përballojë me sukses këtë moment delikat dhe do të ndërmarrë hapat e duhur për të stabilizuar në një kohë sa më optimale financat dhe për të përmbushur objektivat elektoralë në 4 vitet e ardhshme qeverisëse”, tha Meta.

Emrat e kabinetit të ardhshëm, të publikuar nga Rama disa ditë më parë, janë vënë në shënjestër të sulmeve të kryeministrit aktual, Sali Berisha dhe kryetarit të ri të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Meta ironizoi këto sulme duke thënë se Berisha ka nevojë për pushime malore, se ato janë më relaksuese, ndërsa më pas u ndal edhe tek akuzat për përgatitjen e spastrimit të administratës.

“Së fundmi i kam dëgjuar ankesat për spastrime edhe nga kreu i ri i PD-së. Nuk ka patur rast më shembullor spastrimesh se sa vetë Partia Demokratike në momentin kur ne lamë koalicionin, apo vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ne nuk jemi ankuar dhe nuk kemi krijuar as ndonjë zyrë ankesash. Nuk bëhet fjalë për spastrime, por për reforma dhe administratë më të efektshme që do t’i përgjigjet ritmit të ri të qeverisë së re. Është për të ardhur keq që drejtues të PD flasin për qeverinë që do qeverisë pas 1 muaji, sikur e ka nisur qeverisjen që më 23 qershor”, deklaroi kreu i LSI-së.

Meta i bëri thirrje Partisë Demokratike që të marrë përgjegjësitë e saj dhe të shndërrohet në një opozitë alternativë e qeverisë. Ai foli për vendime të papërgjegjshme dhe në dëm të vendit të marra nga qeveria në detyrë që pas 23 qershorit.

“Vendi ka nevojë për një opozitë që konkuron qeverinë me alternativa dhe jo duke humbur cdo ndjenjë përgjegjësie ndaj vendit, që është reflektuar në disa vendime të papërgjegjshme dhe jo transparente që janë marrë nga qeveria pas 23 qershorit”, u shpreh Meta.

Sa i përket ndarjes së dikastereve që do të drejtojë LSI në qeverinë e re Meta tha se ato janë bërë sipas përcaktimit politik, ndërsa tha se LSI e sheh qeverinë si një ekip.

“Patëm një ndarje sipas përcaktimit politik të ministrave të caktuar. Lidhur me faktin që LSI nuk ka asnjë ministër në dikastere ku ajo është përfaqësuar gjatë 4 viteve të kaluara, kjo ka qenë një zgjedhje e drejtë dhe racionale edhe në funksion të transparencës së ardhshme. Gjatë 4 viteve të kaluara, PS ka qenë në opozitë dhe sic e dini ka qenë më e ashpër ndaj ministrive që drejtonte LSI se sa ndaj atyre që drejtonte PD. Kjo ka qenë kërkesa ime, është pozitive dhe etike. Sa i përket ministrave janë më përfaqësuesit, por ne e shohim qeverinë si një ekip të tërë dhe ajo që duhet është fryma e ekipit për të përmbushur objektivat”, deklaroi Meta.

Top Channel