Në orët e vona të mbrëmjes së të premtes trupa e gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor i dha fund shpërndarjes së mandateve në bazë të rezultatit të votës që shqiptarët hodhën më 23 qershor.

Shpërndarja mbërriti në Kolegj pas ngërçit juridik në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, krijuar pas tërheqjes së anëtarëve të propozuar nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.

Në bazë të rezultatit koalicioni “Aleanca për Mirëqënie, Punësim dhe Integrim” e udhëhequr nga PS dhe LSI mori 83 mandate, ndërsa “Aleanca për Shqipërinë Europiane” e udhëhequr nga Partia Demokratike 57 mandate.

Ndërsa mandatet sipas partive është si vijon:
Partia Socialiste – 65 deputetë
Partia Demokratike – 46 deputetë
Lëvizja Socialiste për Integrim – 16 deputetë
Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet – 5 deputetë
Partia Republikane – 4 deputetë
Partia Demokristiane – 1 deputet
Lëvizja për Zhvillim Kombëtar – 1 deputet
Partia Kristian Demokrate Shqiptare – 1 deputet
Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut – 1 deputet

Tashmë, ashtu sic parashikohet edhe nga Kushtetuta, parlamenti i ri pritet të mblidhet për herë të parë më 7 shtator, ndërsa qeveria e re prite të konstituohet dhe të marrë betimin brenda 10 ditëve nga kjo mbledhje e parë, pra deri më 17 shtator.

Partia Demokratike kundërshtoi shpërndarjen e mandateve nga Kolegji. Përfaqësuesi ligjor i PD, Ivi Kaso, denoncoi atë që e quajti “presion ilegal” të PS ndaj Kolegjit Zgjedhor.

“Ndjeva keqardhje për faktin se Kolegji, i ndodhur përpara presionit të paligjshëm të PS, me një objekt të paligjshëm të paraqitur jo në kohën e duhur, zgjodhi të dorëzohej përpara këtij presioni të paligjshëm”, deklaroi Kaso.

Ai u shpreh se Kolegji kishte marrë dy vendime anti-kushtetuese dhe kishte shkelur autoritetin e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, nën presionin e mazhorancës së re.

“Ne shprehëm pretendimet tona se një proçedim i tillë është një vendimmarrje e anti-kushtetuese për faktin se reduktohen kompetencat e Kolegjit për të vepruar sipas ligjit. Sot u vu re një uzurpim i kompetencave të Kolegjit nga PS dhe me këto vendime Kolegji i dha goditjen e fundit KQZ-së”, shtoi Kaso.

Ndërkohë, nuk ka munguar edhe reagimi i përfaqësuesit ligjor të PS, Koli Bele, i cili i cilësoi absurde pretendimet e PD për presion politik ndaj Kolegjit.

“Pretendimet e PD për presion politik janë antiligjore. Kolegji po përfundon procesin sipas ligjit. PD nuk pranon dot humbjen e thellë. Sot u nda ajo që zgjedhësit votuan në zgjedhjet e fundit”, deklaroi Bele.

Top Channel