Rama: Do luftojmë korrupsionin

02/08/2013 00:00

Pas intervistës në “Hard Talk” në BBC, Edi Rama është shfauqr në një tjetër media te rëndësishme ndërkombëtare siç është CNN-i Turk. Pasi bëri një prezantim të pikave të forta të qeverisë që do të drejtojë pas shtatorit, kryeministri i zgjedhur Rama deklaroi se lufta ndaj korrupsionit do të jetë një nga pikat nga ku do të nisë edhe ndryshimi i Shqipërisë.

“Shpresoj që ju të mos mendoni se korrupsioni është një virus që i përket Shqipërisë. Por ju e dini që kudo që shkon dhe këdo që prek, korruspsioni përhapet në mënyrë shumë të shpejtë si sëmundje ngjitëse. Dhe situata në Shqipëri kështu është. Ajo që duhet të bëjmë ne është të marrim përsipër të bëjmë një luftë të madhe kundër këtij fenomeni. Ne kemi në plan të ngremë disa sisteme dhe të realizojmë disa reforma në luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të shpëtojmë popullin tonë, të mbrojmë dhe të shpëtojmë vendin nga korrupsioni. Ky fenomen është futur aq thellë saqë e ka lënë vendin në një pozitë shumë të vështirë”, deklaroi Rama.

Rama deklaroi gjithashtu se qëllimi i tij dhe i qeverisë së tij është të bëjë realitet ëndrrën e shqiptarëve për të qenë pjesë e familjes së madhe europiane.

“Sigurisht që me aq sa kemi mundësi do të bëjmë ç’është e mundur në një kohë shumë të shkurtër që të marrim statusin për vendin kandidat. Më kujtohet që një nga sloganet që përdorën studentët gjatë rrëzimit të sistemit ishte: e duam Shqipërinë si gjithë Europa. Qëllimi ynë kryesor është që Shqipëria të jetë pjesë e Europës dhe të integrohet në të”, theksoi Rama.

I pyetur për marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri i zgjedhur deklaroi në CNN-in Turk se Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe gjithashtu një shembull i mirë për t’u ndjekur i transformimin pozitiv të vendit viteve të fundit.

“Me zotin Erdogan jemi takuar para zgjedhjeve dhe sinqerisht është një emër që unë e vlerësoj shumë për atë çfarë ka bërë për shtetin e tij. Gjatë bisedës tone ai na premtoi se do të na ndihmojë përsa i përket marrëdhënieve mes Turqisë dhe Shqipërisë. Së bashku me Italinë dhe Greqinë, Turqia u bë partner strategjik i yni. Ne Turqinë e shohim si një partner strategjik, duam që të forcojmë dhe ta zhvillojmë marrëdhënien që kemi me vendin tuaj. Ne duam që të përfitojmë nga procesi i transformimit verbues që ka përjetuar Turqia këto kohë, ne e shohim atë si shembull. Problemet me të cilat ne po përballemi sot, veçanërisht problemet që hasim në shëndetësi, në arsim, janë probleme shumë të ngjashme me ato që ka kaluar Turqia para shumë vjetësh”, nënvizoi Rama.

Të shtunën në orën 14.30 me oren lokale Edi Rama do të takojë kryeministrin e Turqise, Recep Tayip Erdogan, takimi i dytë brenda një kohë të shkurtër.

Top Channel