I vjedhin makinën, apel grabitësit

01/08/2013 00:00

Si do vepronit në rast se konstatoni se ju kanë vjedhur ? Me siguri hapi i parë është të vraposh për ta denoncuar ngjarjen në polici.  Por një qytetar, përveç se ka njoftuar policinë vendosi të hedhë edhe një hap tjetër të padëgjuar më parë.

Nëpërmjet një konference për mediat ai vendosi të komunikojë me hajdutin duke i bërë këtë apel përmes ekranit.

“I bëj thirrje publike, zotit Hajdut, apo shokut Hajdut që nuk do ta penalizoj, sinqerisht, po të më kthejë sepse vlera e dokumentacionit është më e madhe edhe se vetë makina. Ajo është e kushtueshme për mua, normal, por me pasaporta të fëmijëve, me dokumente të tjera etj…”, thotë ai.

Nëpërmjet kameras të sigurisë të vendosur në një biznes privat, shikohet se hajduti  ka vjedhur makinën në fjalë, një automjet tip Benz. Vjedhja zgjat më pak se një minutë.

“Kam besim tek Policia e Shtetit, kam shumë besim tek Policia e Shtetit, por vij tek ju që të më dëgjojë hajduti. Sinqerisht që nëse më kthen makinën dhe dokumentat, do ja jap një kafe”, thotë viktima e vjedhjes.

Për këtë ngjarje Policia e Tiranës deklaron se e ka identifikuar autorin dhe e ka shpallur atë në kërkim. Në kryeqytet për gjashtë muajt e fundit zyrtarisht raportohen të jenë vjedhur 145 automjete, 41 prej të cilave janë zbuluar, ndërsa për të tjerat autorët janë të paidentifikuar.

Top Channel