Kryeministri i zgjedhur Edi Rama i dha fund hamendësive dhe aludimeve
për emrat e ministrave që do të ulen në kabinetin e qeverisë së re, duke
surprizuar jo pak me emrat e ministrave të rinj, që do të marrin
detyrën në fillim të shtatorit.

Zoti Rama gjatë një konference për shtyp, pak përpara se të lexonte emrat e ministrave të rinj, pesë prej të cilëve nga LSI-ja bëri këtë koment: “Qeveria e re nuk do të jetë tribuna tradicionale e dukjes së pushtetit, por tryeza e punës së palodhur për të justifikuar me përkushtimin më të madh, pritshmëritë e jashtëzakonshme të popullit shqiptar ndaj nesh si aleancë dhe ndaj meje vetë si Kryeministër. Qeveria e re është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, që dua ta falenderoj për frymën shumë konstruktive të bashkëpunimit, për formimin e kabinetit të ri qeveritar dhe ndarjen e përgjegjësive mes ekzekutivit dhe legjislativit. Qeverisja që dua do të duhet në radhë të parë të mëshirojë vlerat e punës në skuadër. Eshtë ndërtuar një skuadër me thuajse 90 për qind të njerëzve që ulen për herë të parë në karrigen ministrore dhe më shumë gra se ndoshta ç’kanë pasur të gjitha qeveritë e Shqipërisë, të marra së bashku në këto 20 vjet. Detyra e Kryeministrit do të jetë e imja, por pushteti i popullit dhe nga dita e betimit çdo ministër do të rrijë në detyrë vetëm duke i shërbyer me nder dhe duar të pastra popullit të vet”.

Siç edhe Rama kishte premtuar, 6 prej 19 potofoleve ministerialë do të drejtohen nga femra, nje risi absolute ne historine e kabineteve qeveritare te majta dhe te djathta te periudhes 23-vjeçare se post komunizmit.

Kabineti i ri:
Kryeministër Edi Rama
Zëvendëskryeministër, Niko Peleshi
Ministër i Financave, Shkëlqim Cani
Ministër i Brendshëm, Saimir Tahiri
Ministre e Mbrojtjes, Mimi Kodheli
Ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati
Ministre e Integrimit Europian, Klajda Gjosha
Ministër i Drejtësisë, Nasip Naço
Ministër i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj
Ministër i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri
Ministër i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto
Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni
Ministër i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti
Ministër i Shëndetësisë, Ilir Beqja
Ministre e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla
Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erjon Veliaj
Ministre e Kulturës, Mirela Kumbaro
Ministër i Mjedisit, Lefter Koka
Ministre për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito
Ministër për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi

Top Channel e pyeti zotin Rama përse duhej që emrat e ministrave të behëshin publikë një muaj përpara mbledhjes së Parlamentit dhe se me çfarë do të merren ata deri në betimin e kabinetit.

“Eshtë e udhës që të gjithë ministrat të marrin detyrat paraprake, të njihen me përmbajtjen e punës së tyre, të mendojnë dhe pastaj të punojnë bashkarisht për ato ndarje që duhen bërë të dikastereve ekzistuese dhe për punën që duhet bërë për të ndërtuar nga e para ato pjesë të punës që duhet të fillojnë nga e para. Ne duam që qysh në ditën e parë të fillojmë të qeverisim, jo të njihemi me punën që kemi përpara”, tha Rama.

Kryeministri i zgjedhur u pyet edhe për aleatët e koalicionit për Shqipërinë Europiane, të cilët nuk përfaqësohen në qeverinë ‘Rama’ me poste ministrash.

“Me aleatët më të mëdhenj apo më të vegjël jemi në një proces diskutimi dhe ju siguroj se do të ndajmë përgjegjësi, por nuk do të ndajmë parcela. Do të ndajmë peshën e madhe të mirëqeverisjes, por nuk do të ndajmë drejtori për partitë. Avokat Ngjela e ka marrë përgjegjësinë e tij, kohë përpara ne të tjerëve dhe ajo është një përgjegjësi e patjetërsueshme, pavarësisht nga pozicioni edhe pse me keqardhje e them, s’kemi rënë dakord për pozicionin. E ka refuzuar pozicionin e propozuar në lartësinë dhe në të drejtën e reputacionit të tij”, tha Rama.

Zgjedhje të reja në Bashkinë e Korçës

Pas propozimit të bërë nga Kryeministri i ardhshëm Edi Rama, për të qenë zëvendëskryeministër, Niko Peleshi duhet të jape dorëheqjen nga posti i kryetarit të Bashkisë së Korçës, të cilin e mban prej vitit 2007.

Ky fakt, do të sjell ribërjen e zgjedhjeve në qytetin e Korçës.

Referuar ligjit, zgjedhjet mbahen jo më vonë se 45 ditë nga deklarimi i vendit vakant, i cili mësohet se do të shpallet ditën që Niko Peleshi do të betohet si zëvendëskryeministër i Shqipërisë.
 

Top Channel