Durrës, plagosen 4 persona

30/07/2013 23:00

Katër persona kanë mbetur të plagosur, mbrëmjen e së martës, në qytetin bregdetar të Durrësit. Ngjarja e rëndë ndodhi në një nga lokalet e hapura, në afërsi të stacionit të trenit.

Policia e Durrësit ka bërë të ditur identitetin e të plagosurve, të cilët janë Ilia Plaku 65 vjeç, Bujar Luku 55 vjeç, Tasim Hallulli 50 vjeç dhe Hamdi Lama 55 vjeç.

Të plagosurit janë dërguar në spitalin e Durrësit, ku po marrin ndihmën mjekësore. Burime nga ky spital bëjnë të ditur se, të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë forca të shumta policie ndodhen në vendin e ngjarjes, si dhe në hyrje-daljet e qytetit.

Paraprakisht, deklarohet se autori ka qëlluar në drejtim të lokalit me armë, duke shkaktuar plagosjen e katër personave. Të shtënat kanë shkaktuar panik te qytetarët, veçanërisht te frekuentuesit e barit, ku ndodhi sherri që u mbyll me gjakderdhje e të plagosur.

Ndërkohë, nuk bëhet e ditur se cili prej të plagosurve ka qenë objektivi i sulmit me armë zjarri, në një ambient publik, ndërsa vijon puna për zbardhjen e ngjarjes, konfliktit që ndodhet pas saj dhe kapjen e autorit e bashkëpunëtorëve të tij.

Top Channel