Basha “delegon” ndërtimet pa leje

30/07/2013 00:00

Në një takim me kryetarë të minibashkive dhe policisë bashkiake mbi decentralizimin e pushtetit vendor, kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulëzim Basha kërkoi tolerancë zero, siç u shpreh ai, ndaj çdo objekti të ndërtuar pa leje në kryeqytet.

Kalimin e kompetencave nga bashkia e madhe tek njësitë bashkiake, në kuadër të decentralizimit, Basha e inauguroi me kalimin e përgjegjësisë për prishjen e ndërtimeve pa leje.

Sipas tij, pranë çdo njësie do të atashohen policë bashkiakë dhe inspektorë ndërtimi, të cilët nën drejtimin e kryetarit të njësisë bashkiake do të bëjnë kontrollin e territorit, me theks të veçantë tek identifikimi i ndërtimeve pa leje.

“Është detyra juaj e parë të veproni në mënyrë energjike për të identifikaur çdo proces shkeljeje ligji që fillon apo vazhdon me ndërtimet pa leje. Që nga marrja e masave administrative, siç janë gjobat e deri tek prishja e këtyre objekteve”, deklaroi Basha.

Basha tha se nuk do të ketë proçedurë legalizimi për objektet pa leje, ndërsa paralajmëroi ndëshkimin e inspektorëve që nuk do të parandalojnë ndërtimin e tyre.

“Nuk do të ketë asnjë lloj procesi legalizimi për këto ndërtime dhe kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë qytetarët”, theksoi kryetari i bashkisë së kryeqytetit.

Top Channel ka denoncuar në mënyrë të vazhdueshme valën e ndërtimeve pa leje në Tiranë, e cila nisi para zgjedhjeve dhe po vazhdon me të njëjtin intensitet.

Ndërsa Basha tha se njësitë bashkiake duhet të bëjnë identifikimin e ndërtimeve pa leje, duket se kjo nuk do të jetë e nevojshme, pasi janë vetë qytetarët që denoncojnë çdo ditë pranë bashkisë ndërtimet në pallatet e tyre apo mjediset e tjera publike.

Madje, ata shkojnë dhe më tej, duke akuzuar punonjësit e bashkisë se janë shndërruar në sekserë të këtyre ndëtimeve.

Top Channel