Padi vendimit për xhaminë

29/07/2013 19:55

Ndërtimi i xhamisë së re në Tiranë, e shumëpritur nga besimtarët myslymanë, të cilët prej vitesh në çdo festë fetare falen në bulevardin kryesor të Tiranës, është kthyer në objekt debati gjyqësor.

Instituti i çështjeve kombëtare INA dhe shoqata për një zhvillim të qëndrueshem, Eracional, me anë të kësaj padie civile kërkojnë shfuqizimin e vendimit të KRT-së, në të cilën është miratuar dhënia e lejes zhvillimore komplekse për xhaminë e Namazgjasë.

“Dhënia e një lejeje ndërtimi për një godinë e bën këtë vendim të goditshëm nga çdo institucion tjetër. Ne i jemi drejtuar gjykatës dhe vendimeve të KRT i rezervojmë të drejtën për t’u ballafaquar në gjykatë. Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me ndërtimin e një objekti kulti, por edhe të një godine si qendër biznesi”, ka deklaruar aktivisti Kastriot Frashëri.

Në padi kërkohet gjithashtu sigurim padie për ndërprerjen e çdo punimi derisa gjykata të shprehet për çështjen në themel.

“Sot gjykata vendosi që gjykimi i çështjes të vijojë në shtator, që për ne është një kohë e gjatë. Ne do kërkojmë pezullimin e të gjitha veprimeve ndërtimore që po kryhen në këtë shesh, si prerja e pemëve, bllokimi i trotuarëve, etj”, ka vijuar Frashëri.

Top Channel