“Përmbyllni procesin zgjedhor”

26/07/2013 00:00

Për ambasadorin e Italisë në Tiranë, Masimo Gaiani, pjesëmarrja dhe sjellja e popullit shqiptar në zgjedhjet e 23 qershorit ka qenë absolutisht pozitive dhe ka dëshmuar një shpirt të madh demokratik. Tani, thotë kryediplomati italian, i gjithë procesi duhet të mbyllet sa më shpejt. Me ambasadorin Gaiani bisedoi gazetari ynë Muhamed Veliu.

TCH: Zoti ambasador, cili është vlerësimi juaj për zgjedhjet e 23 qershorit?

Gaiani: Ju falenderoj dhe ndjej shumë kënaqësi që po i drejtohem spektatorëve të Top Channel. Sa i takon zgjedhjeve, mund të themi me siguri se ishte një sukses që procesi elektoral u zhvillua në mënyrë të rregullt. Kemi patur për fat të keq disa incidente, edhe të rënda, që na trishtojnë, por sigurisht pjesëmarrja dhe sjellja e popullit shqiptar ka qenë absolutisht pozitive dhe ka dëshmuar një shpirt të madh demokratik.

TCH: Kryeministri Berisha fillimisht e pranoi rezultatin e zgjedhjeve, por duket se ai ndërroi mendje kur deklaroi se nuk do ta njohë rezultatin pa patur një transparencë të plotë të tij. Si e shikoni këtë zhvillim?

Gaiani: Një prej elementëve që ndikoi pozitivisht tek bashkësia ndërkombëtare, përveç zhvillimit të procesit elektoral, ishte ajo që erdhi pas, vazhdimi, pranimi reciprok dhe respekti që palët i dëshmuan njëra-tjetrës. Nga njëra anë duke pranuar rezultatin, nga ana tjetër duke njohur meritat e qeverisë së mëparshme dhe asaj që ishte arritur. Nuk dëshirojmë që ky element kaq pozitiv të shpërbëhet me kalimin e kohës. Nëse nga njëra anë, sigurisht është e rendësishme të sigurohet tranparenca maksimale e procesit, nga tjetra duhet të evitohet zgjatja e tepruar e afateve dhe në paraqitjen e dinamikave dhe politikave që mund të ndotin pak këtë analizë të tranparencës. Kësisoj kërkojmë me forcë që procesi të mund të mbyllet shpejt. E para në  respekt të popullit shqiptar, i cili u impenjua fuqishëm në procesin elektoral, e dyta për të ruajtur këtë besim të madh që Shqipëria ka marrë nga institucionet  ndërkombëtare.

TCH: Kryeministri i zgjedhur Edi Rama bëri publike strukturën e qeverisë së re. Cili është impresioni juaj i parë rreth kësaj strukture?

Gaiani: Na duket sigurisht pozitive. Disa ministri që ndoshta kishin një gamë të gjërë detyrash u ndanë dhe kjo natyrisht do të favorizoje ndarjen e punës në mënyrë të barbartë mes strukturave të ndryshme. Nga ana tjetër, natyrisht vleresohët një model që përdoret edhe në Itali prej vitesh, që është ajo e ministrave pa portofol, janë tre, ndërsa në qeverinë e mëparshme ishte një. Dy entitetet e reja i përgjigjen paralajmërimit tonë për disa domosdoshmëri. Raporti me Parlamentin dhe ura e qeverisë me Parlamentin, dhe nga ana tjetër autonomitë lokale,  territori që është diçka shumë e rëndësishme. Nga një analizë ë parë e strukturës së qeverisë kemi një përshtypje sigurisht shumë pozitive.

TCH:
Sipas jush, cilat janë disa prej sfidave më kryesore të qeverisë Rama?

Gaiani:
Do të përmendja dy gjëra, rritjen  ekonomike dhe punësimin. Është shumë e thjesht, sepse ndër të tjera është problemi që duhet të përballojmë të gjithë. Shqipëria njohu një periudhë të gjatë rritjeje ekonomike, por ajo u ngadëlsua shumë. Tani bëhet fjalë të rinisim rritjen dhe të krijojmë punësim, është thelbësore mendoj, pasi ka shumë nevojë. Elementi i tretë që dua të nënvizoj është ribashkimi dhe riforcimi i marëdhënieve me vendet e rajonit, diçka që është e një rëndësie të madhe dhe që do të kishte ndër të tjera një pasojë shumë pozitive në termat ekonomik të Shqipërisë.

TCH:
Cilat janë prishmëritë tuaja nga qeveria e re?

Gaiani: Vazhdimësia e raporteve të shkëlqyera që kemi patur gjithnjë me Shqipërinë. Gjykojmë që Italia dhe Shqipëria janë dy partnerë strategjikë. Gjeografia është, ekzistojnë një seri faktorësh të tjerë të rëndësishëm që e bëjnë lidhjen tonë unike dhe kërkojmë fuqishëm që kjo të mund të forcohet më tej. Nga pala italiane është gadishmëria maksimale dhe kemi mundur të kuptojmë nga batutat e para të qeverisë së ardhshme se thotë të njëjtën gjë nga ana e Shqipërisë.

TCH:
Ku do të koinsistojë vijimi i ndihmës së Italisë ndaj Shqipërisë?

Gaiani: Sigurisht synojmë të bëjmë të gjitha përpjekjet për të favorizuar forcimin e marëdhënieve ekonomike. Ka një interes të fortë nga ana italiane për të investuar. Kriza ka vënë në lëvizje shumë gjëra dhe nga ana e sipërmarrësve italianë, Shqipëria shihet me vëmendje shumë të madhe. Mendoj se është një mundësi që duhet të kapet megjithëse logjikisht duhet të përmirësohet klima sipërmarrëse, si dhe kushtet për t’i pritur këto investime. Natyrisht, ne jemi të gatshëm t’i japim mbështetjen maksimale qeverisë së re, me qëllimin që të organizojë masat për lehtësimin e terheqjes së këtyre investimeve.

TCH:
Zgjedhjet e kanë ndaluar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Sipas jush, si mund të rinisë ky proces?

Gaiani: Përpara zgjedhjeve pati një vonesë në afrimin e Shqipërisë me Europën. Aprovimi i tre ligjeve dha dhe krijoi kushte të mira për ta nisur këtë rrugë. Në gjysmën e tetorit Komisioni do të paraqesë raportin e tij. Mendoj se këto muaj që janë mes marrjes së detyrës nga qeveria e re dhe vendimit të Këshillit të Europës nga fundi i dhjetorit janë thelbësore. Mendoj se është e nevojshme një vëmendje shumë e madhe për shtetin e së drejtës, për funksionimin e drejtësisë, për luftën kundër korrupsionit, luftës kundër krimit, për forcimin e administratës publike. Këto janë mes të tjerash disa nga 12 prioritetet. Mendoj se nëse do të ketë impenjim të fortë në këto sektorë, ekzistojnë të gjitha kushtet për të patur një përgjigje të favorshme nga ana e Europës. Nga ana e Italisë, ne nuk do të ndalemi së kryeri çdo veprim, por i kërkojmë Shqipërisë që të na ndihmojë dhe ta ndihmojmë.

TCH: Në çfarë këndvështrimi Italia i sheh përpjekjet e deritanishme të Shqipërisë në përmbushjen e 12 prioriteteve të vendosuara nga BE-ja?

Gaiani: Nuk ka dyshim për këtë, që Italia është vendosur në favor të rrugës europiane të Shqipërisë. Shqipëria ka bërë progrese të mëdha në këto 20 vite, besojmë, pjesërisht edhe në saj të kontributit dhe ndihmës së Italisë. Ne jemi të bindur absolutisht për vendin që Shqipëria duhet të zërë në Europë. Logjikisht do të jetë një vendim i karakterit të përgjithshëm. Ne do të jemi avokatët e Shqipërisë, por e rëndësishme është që të kemi elementët për ta vlerësuar.

TCH: Sa i mundshëm është marrja e statusit të vendit kandidat në muajn dhjetor?

Gaiani: Mendoj se kushtet ekzistojnë. Nëse muajt përpara nesh do të përdoren plotësisht për të përmirësuar shtetin e së drejtës, për të forcuar drejtësinë, për të luftuar korrupsionin dhe krimin, shanset janë shumë të mëdha. Procesi zgjedhor shkoi shumë mirë dhe do të jetë sigurisht një faktor që do të peshojë shumë në vendimin e dhjetorit. Por ka shumë gjëra të tjera që duhet të përmbushen dhe shumë do të varet se si do të përdoret kjo periudhë, nga tani deri në  fund të dhjetorit.

Top Channel