Kryeministri në detyrë, Sali Berisha ka sulmuar sërish nëpërmjet Facebook-ut strukturën e qeverisë së ardhshme, të paraqitur nga kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Berisha është ndalur edhe tek premtimet e opozitës. Ai i quajti ato si mashtrime, ndërsa deklaratat nga Selia e PS-së si revansh e urrejtje ndaj shtetit dhe demokracisë.

“Të dashur miq, kaloi mbi një muaj nga dita që piktori i dështuar Edi Rama ngriti zyrën e tij të kryeministrit të zgjedhur në selinë mavi. Veprimtaria një mujore e kryeministrit të zgjedhur mund të përmblidhet në sa vijon: Mohim i premtimeve anti-globaliste me të cilat mori votën, revansh anti-kushtetues shpallja e vetes kryeministër i zgjedhur dhe deklarimi i qeverisë së vendit si qeveri kujdestare apo qeveri në detyre dhe mandat 4.3 vjet për vete, revansh anti-kushtetues ndaj institucioneve kushtetuese, Presidencës, Prokurorisë, KLD-së, pushtetit gjyqesor, revansh anti-shtet ndaj administratës publike. Hapja e tenderit për fshesën në administratën publike, paraqitja e një kabineti shumë më të madh në portofole se sa vende, 20 apo 30 herë më të mëdha se Shqipëria, përpjekje për të bllokuar me cdo kusht transparencën e mandateve të drogës dhe krimit”, shkruan Berisha.

Kryeministri në detyrë mbyll deklaratën e tij duke thënë se ky është ndryshimi, por jo ai që votuan shqiptarët.

Top Channel