Patozi: Berisha gaboi me pasuesin

25/07/2013 00:00

Partia Demokratike, tashmë në opozitë ka prej 3 ditësh kryetarin e saj të ri. Por përtej entuziazmit të shprehur nga ish-kryetari Berisha dhe kryetari i ri, Basha, duket se situata nuk është aq rozë brenda Selisë Blu. Këtë e paralajmëroi kandidati tjetër, ai humbës, Sokol Olldashi, i cili ndër të tjera as nuk uroi fituesin e garës, Lulzim Basha.

Por cfarë po ndodh në PD? Ai është kjo një garë e vërtetë? A është gati PD për një fillim të ri? Për këto dhe shumë pyetje të tjera, në studion e Top Story me Sokol Ballën këtë të enjte ishte nën.kryetari i PD-së, Astrit Patozi.

Sokol Balla: Zoti Patozi, cfarë ishte procesi i 22 korrikut?

Astrit Patozi: Për t’iu përgjigjur deri në fund kësaj pyetje, kam dëshirë që ta nis me një lajm që e them për herë të parë në televizionin tuaj. Unë nuk i përkas as asaj pjesë që ka votuar 80 përqind për Lulzim Bashën dhe as pjesës tjetër që ka votuar 20 përqind për Sokol Olldashin. Arsyeja është fare e thjeshtë. Unë as nuk kam uruar fituesin dhe as nuk kam ngushëlluar humbësin, sepse unë thjesht nuk kam votuar.

Sokol Balla: Përse nuk votuat zoti Patozi?

Astrit Patozi: Për ta shpjeguar më qartë këtë gjest, sepse gjest është që nuk ndryshon asgjë. Vota ime ka qenë e barabartë me votën e cdo demokrati të thjeshtë dhe 41 mijë vota ishin të mjaftueshme që të nxirrnin një fitues. Në 23 qershor, jam ngritur në orën 5 të mëngjesit, ose më saktë nuk kam fjetur fare atë natë, sepse ishte nata e fundit para zgjedhjeve, ku bënim përgatitjet finale. Jam ngritur në 5 të mëngjesit, i kam hipur makinës dhe kam ardhur në Tiranë për të votuar dhe në 07:15 kam hedhur votën time me bindjen se vota ime mund të mos e ndryshonte rezultatin, por vota ime kishte rëndësi si cdo votë e kujtdo qytetari shqiptar. E kam bërë këtë në të gjitha zgjedhjet politike dhe lokale që ka zhvilluar PD, pavarësisht se unë në shumicën e kohës kam qenë i dërguar i PD-së, në skajet e largëta të vendit, Sarandë, Delvinë, Vlorë etj. Ndërsa në 22 korrik, e kam patur kutinë e votimit, ku duhet të shprehja vullnetin tim për kryetarin e ardhshëm të partisë, e kam patur vetëm dy metra në lartësi fizike me zyrën time. Salla ku zhvilloheshin zgjedhjet është 1 kat poshtë zyrës time, pikërisht nën tavolinën time.

Sokol Balla: Dhe ju nuk shkuat…

Astrit Patozi: Dhe unë nuk kam shkuar të votoj me bindjen se vota ime nuk kishte asnjë vlerë dhe kërkesën e fundit që unë të merrja pjesë në votim e kam patur nga kandidati në garë, zoti Olldashi i cili 5 minuta para se të bënte deklarimin e tij të ditës së hënë, më kërkoi miqësisht që të votoja, pavarësisht që edhe ai ishte i bindur që vota ime nuk kishte rëndësi. I thashë, ti merr vendimet e tua, për të miat përgjigjem vetë, sepse për të nuk ishte e hijshme që nënkryetari i partisë të mos merrte pjesë në garë. Cfarë ishte ky gjest? Nuk ishte ndonjë burrëri e madhe. Absolutisht jo. Burrëri është që t’i thuash gjërat dhe ta shprehësh vullnetin sepse shqiptarët apo demokratët që më kanë votuar gjatë gjithë këtyre viteve, kërkojnë prej meje, të njëjtën gjë që unë u kërkoj atyre, të shprehin vullnetin me votë, ta bëj edhe unë sa herë që të më jepet rasti. Unë nuk e bëra dhe i kërkoj ndjesë cdo shqiptari dhe cdo demokrati që ka votuar për mua, për shkak se gjesti im nuk ishte gjest force. Ishte dëshpërues. Unë bëra një gjest dëshpërimi për shkak se në partinë time, në PD, nuk po zhvillohej një garë korrekte dhe unë thjesht nuk doja që të merrja pjesë në një proces që nuk ishte ashtu sic ne na takonte dhe kaq është gjithë ajo që unë mund të them për përfshirjen apo mospërfshirjen time në proces. Nuk ishte garë korrekte. Nuk ishte garë korrekte për shkak se fituesi ishte paracaktuar. Sigurisht që fituesi mund të paracaktohej apo mund të përzgjidhej dhe legjitimiteti i tij të mos cënohej, sepse ne kishim një garë brenda llojit dhe një garë kufijtë e së cilës dhe rregullat i përcaktoi në një farë mënyrë, kryetari i dorëhequr, Sali Berisha i cili në aktin e tij kishte 3 mënyra për të bërë zgjedhjet. E para të qendronte në detyrë sepse ka një debat ende shumë demokratë, mendojnë që Sali Berisha i udhëheq më mirë se kushdo tjetër drejt ringritjes dhe drejt fitores. Po të më pyesni mua, unë them që Berisha bëri gjënë e duhur në kohën e duhur. Pra Berisha u soll si burrë shteti në aktin e tij të dorëheqjes menjëherë pas humbjes, një gjë që s’e ka bërë rivali i tij që sot e konsideron veten kryeministër të zgjedhur. Nuk e bëri katër vjet më parë. Pra kjo është një diferencë shumë e madhe mes dy udhëheqësve. Sali Berisha nuk e zgjodhi rrugën e parë dhe mund të zgjidhte dhe ishte në të drejtën e tij, sepse statuti i PD-së, ndryshe nga ai i PS-së në 2009, nuk e ka të shkruajtur që kryetari që humb zgjedhjet jep dorëheqjen. Rruga e dytë ishte që Sali Berisha si kryetar i dorëhequr dhe jo i dëbuar nga PD, mund të propozonte atë që ai e konsideronte pasuesin e tij, atë që ai e konsideronte më të mirin ndër potencialet që kishte PD. Berisha nuk zgjodhi rrugën e dytë, zgjodhi rrugën e tretë që të kishte garë dhe që rivalët të dilnin në sipërfaqe dhe duke zgjedhur rrugën e tretë përcaktoi rregullat dhe mënyrën se si do zgjidhjej kryetari i ri i PD. Në fakt gabimi ishte i madh sepse u artikulua apo u tha në publik rruga e tretë, por u aplikua rruga e dytë. Ky ishte një gabim që solli një pasojë, pasoja ishte jo thjesht 20 përqindëshi i Sokol Olldashit sepse absolutisht nuk jam këtu për të shprehur keqardhjen apo pikëllimin tim për të ardhmen politike të Sokol Olldashit apo të ardhmen time politike apo të gjithëkujt tjetër, sepse unë mendoj që humbja e një gare, edhe kur ajo nuk është korrekte, nuk është fundi i botës për asnjë politikan që ka potencial për të qenë udhëheqës apo drejtues. Kjo vlen për Sokol Olldashin dhe për këdo tjetër, që jo vetëm ka ambicie, por mbi të gjitha ka cilësi për të qenë lider drejtues. Pra ne u vumë në kushtet e një gare të pabarabartë sepse ndodhi që shpenzuam energji të panevojshme për të krijuar një hendek mes demokratëve. Të jeni të sigurtë që demokratët nuk do ndaheshin kurrë me njëri-tjetrin për shkak të Sokol Olldashit dhe Lulzim Bashës. Absolutisht kurrë! Janë shumë të vegjël që të dy, megjithë cilësitë e mira që kanë dhe që unë i respektoj. Janë të vegjël për të krijuar carje mes demokratëve sepse të dy kanë merita por edhe të meta. Sigurisht që mes demokratëve mund të krijohej një frakturë nëse në fillimin e garës u luajt me ndarjen e famshme oruelldiane të fermës së kafshëve ku të gjithë rivalët janë të barabartë, por disa janë më të barabartë se të tjerët dhe në finishin e garës u hoqën dorezat dhe njëri ishte i nënës dhe tjetri i njerkës, njëri ishte i Partisë Demokratike dhe tjetri s’dihej nga kishte ardhur. Në këto kushte sigurisht që gara u prish dhe ky ishte një gabim i rëndë për të cilin PD nuk kishte asnjë interes.

Sokol Balla: Atëherë kush pati interes?

Astrit Patozi: Tani gabimet shpesh ndodhin për shkak se situata rrjedh. Unë nuk jam këtu sot që të bëj një analizë për arsyet se përse ndodhi sepse nuk kanë të bëjnë me mua. Jam këtu që të bëj një transparencë. Ka kundërshtarë politikë që daljen time do të konsiderojnë si një kundërvënie ndaj PD, që s’është fare e vërtetë sepse PD është jo vetëm shtëpia ime politike, por edhe shtëpia ime dhe vendi ku unë kam kaluar jetën time. Në PD unë kam që nga viti 1997 kur jam bërë kryeredaktor i RD-së, e deri më sot unë jam cdo ditë, si askush tjetër, unë jam cdo ditë në orën 9 në të njëjtin vend në Selinë e PD dhe ajo është shtëpia ime, është jeta ime dhe kundërshtarët politikë sigurisht mund të mendojnë që tek e fundit kokën hëngshin me njëri-tjetrin. Unë jam këtu sot që t’u tregoj atyre që kjo s’ka për të ndodhur edhe për arsyen e daljes time në këtë debat. Mund të ketë shqiptarë të tjerë që nuk janë kundërshtarë politikë, dhe s’janë as anëtarë të PD dhe këta mund të thonë: tek e fundit kjo ishte një ngjarje brenda gardhit, le ta zgjidhin vetë me njëri-tjetrin. Më e rëndësishme është që PD, anëtarët e PD që u përfshinë në një betejë absolutisht të panevojshme me njëri-tjetrin, duhet të dëgjojnë një dëshmitar i cili i ka ndjekur nga afër të gjitha zhvillimet dhe që ka mendimin e tij pse ndodhi? Pse nuk duhet të ndodhte dhe si mund të dilet nga kjo situatë? Jam këtu sot, që t’u shpjegoj fillimisht demokratëve që 22 korriku ishte një gabim që unë i ftoj që të harrojnë sa më shpejt. Unë e kam pak të vështirë për të harruar 22 korrikun sepse është edhe ditëlindja ime dhe jo rastësisht për të ctensionuar situatën në mbledhjen e fundit të kryesisë kam propozuar 22 korrikun si datë të zgjedhjeve sepse vija re që ethet e garës anormale kishin filluar dhe ndjeheshin edhe në kryesinë e partisë dhe për të ctensionuar këtë për të bërë pak humor, propozova që të ishte data 22 korrik. Në këto kushte e kam pak të vështirë ta harroj, por gjithsesi unë ftoj ata që cdo gabim që ndodh brenda shtëpisë është i kapërcyeshëm, është i falshëm.

Sokol Balla: Zoti Patozi keni bërë një rrëfim prej disa minutash dhe nuk ju ndërprisja dot për asnjë sekondë pavarësisht që më lindën dhjetra pyetje. Për mua ëshë një nga shenjat më të rëndësishme, më të rënda të asaj që ndodh…

Astrit Patozi: Mos e konsideroni ka të rëndë.

Sokol Balla: Më lejoni t’ua shpjegoj pse. Pasi ju thatë me të drejtë që mund të ketë shqiptarë që thonë c’na duhet ne cfarë ndodh brenda PD. Unë nuk mendoj kështu. Unë mendoj që PD është një trashëgimi e madhe e historisë, një aset i madh…

Astrit Patozi: PD është një krenari dhe aset kombëtar edhe për ata që s’janë demokratë. Është krenari kombëtare edhe për socialistët.

Sokol Balla: Absolutisht për të gjithë. Ndër të tjera ne jetojmë në një shoqëri demokratike ku një parti është në opozitë dhe një në qeveri. Gjërat ndryshojnë dhe ju nesër do riktheheni në pushtet dhe padyshim kjo është shenjë e demokracisë jo vetëm brenda partisë, por e demokracisë shqiptare në përgjithësi. Në fakt vota e lirë ka qenë një problem i demokracisë tonë, e kanë ndjerë partitë, e kemi ndjerë ne në përgjithësi. Megjithatë, do të pyesja, a është legjitim kryetari i ri i PD-së?

Astrit Patozi: Pas këtij rrëfimi ajo që mund të pritet prej meje është që në një garë jokorrekte të them që kryetari nuk është legjitim.

Sokol Balla: Jo ju e quajtët gabim të rëndë.

Astrit Patozi: Ai ishte gabim dhe unë nuk i heq asnjë presje nga ajo që thashë. Por në analizën time të zhvillimeve dhe me aq sa unë njoh PD, unë kam këtë përgjigje. Kryetari i ri Lulzim Basha është tërësisht legjitim. Do ta shpjegoj dhe arsyen se pse. Jo për shkak të rezultatit të 22 korrikut. Vetë Lulzim Basha besoj në njohjen time është i vetëdijshëm që nuk ka me vete 80 përqind të demokratëve dhe që diferenca e tij me rivalin Sokol Olldashi nuk është 8-2, pavarësisht se ja bëri 8-2 në këtë garë. Vetë Basha duhet të jetë i vetëdijshëm që kjo nuk ishte garë korrekte. Besoj unë, por ai sigurisht e ka të vështirë ta thotë këtë në publik. Por ai është legjitim për një arsye sepse duke qenë i paracaktuar, duke qenë i përzgjedhur, ai do të fitonte ndaj cdo rivali sepse ishte parapëlqim i Sali Berishës dhe Berisha është një figurë shumë e vlerësuar dhe shumë e respektuar pavarësisht se ka dhënë dorëheqjen nga PD. Për këto arsye unë ftoj 20 përqindëshin që mund të jetë ndjerë i lënduar, për shkak se është trajtuar si lebroz në fushatë apo në numërim e votave nga pjesa tjetër që cuditërisht e donte me shumë pasion këtë fitore dhe përdori të gjitha mjetet që kjo fitore të arrihej dhe të ishte plebishitare, a thua se prej saj ne do të harronim 23 qershorin. Shtatori është shumë afër dhe për fat të keq, në shtator si fituesit e 80 përqindëshit ashtu edhe humbësit e 20 përqindëshit do të jenë njësoj hallexhinj në opozitë, pa instrumenta, pa mjetet për t’i bërë presion një anëtari dhe do të jenë njëlloj opozitarë nëse e kanë shpirtin të tillë. Ky është problemi. Por duhet të jemi të vetëdijshëm që Lulzim Basha është kryetar i PD-së dhe pak rëndësi ka nëse do të merrte 55, 51 përqind.

Sokol Balla: Pra është legjitim vetëm sepse e donte Berisha?

Astrit Patozi: Jo. Është legjitim sepse Lulzim Basha vetë është një rival i denjë për atë garë. Kush ishte elementi i garës në PD? Që rivalët ishin të denjë për të rivalizuar njëri-tjetrin, për të shpallur platformën dhe për t’i dhënë mundësinë lirisht demokratëve që të zgjidhnin njërin. Absolutisht, nëse kjo do të kishte ndodhur, unë do të isha i pari që do të uroja cilindo fitues dhe besoj që do të ishte prap Lulzim Basha.

Sokol Balla: Ju vetë në një proces të tillë, për kë do të kishit votuar?

Astrit Patozi: Unë përderisa nuk votova dhe shpjegova përse nuk votova, nuk ka asnjë motiv tani që të më bëjë që të deklaroj votën time. E ritheksoj, nuk jam këtu as për të vajtuar humbjen e njërit, dhe as për të duartrokitur fitoren e tjetrit. Mua me dhimbset një shans i humbur i PD. E para për të konsoliduar një traditë, një praktikë që do të ishte e vlefshme dhe e nevojshme për atë vetë, por edhe leksion i madh për politikën shqiptare dhe për shoqërinë shqiptare. Ky shans u humb, por unë mbetem shpresëplotë që PD do të dijë që në rastin më të parë ta shfrytëzojë këtë shans, të hapë garën. Kjo është sfida e kryetarit të ri, që është krejtësisht legjitim dhe po gjej rastin që ta uroj përmes kësaj studioje. Suksese në detyrën e re fisnike me shumë përgjegjësi: të udhëheqë opozitën shqiptare.

Sokol Balla: Dhe jashtë parlamentit…

Astrit Patozi: Nuk është ky shqetësimi, pavarësisht që do të ishte më normale, që një gjë që ja kemi kërkuar Edi Ramës, do të ishte absolutisht më e udhës që shefi i opozitës të ishte në parlament sepse përballja me kundërshtarin e drejtpërdrejtë do të ishte më e përditëshme dhe më efikase për vetë opozitën. Por kjo nuk besoj që do të krijojë ndonjë proble. Problem krijohet nëse metoda jonormale për një luftë brenda llojit, që nuk ishin përdorur as ndaj kundërshtarëve politikë, vetëm një muaj më parë, sigurisht që kanë lënë shije të hidhur tek demokratët.

Sokol Balla: Cfarë metodash ishin këto?

Astrit Patozi: Disa xhahilë të pushtetit, shkarkuan njerëz nga puna, i kërcënuan me pushim nga puna. Tani ne duhet t’i marrim njerëzit sic janë, shqiptarët sic janë. Megjithëse shumica e demokratëve e dinë, që në shtator do të ikin të gjithë, për një njeri që e ka vendosur fatin e familjes së tij tek një rrogë, sigurisht që është shumë t’i kërkosh të ikë 1 muaj përpara, apo dy muaj përpara apo të mos themi pastaj që dikush prej tyre mund të mendojë që sic mbajtëm ne disa socialistë për 8 vite, mund të mbajnë edhe ata disa demokratë gjatë 8 viteve apo gjatë 2, 4 viteve që vijnë.

Sokol Balla: Ekziston kjo lloj ideje e demokratëve të 80 përqindëshit?

Astrit Patozi: Kjo për fatin e keq ka ndodhur dhe unë do të ftoja sinqerisht kryetarin e ri të PD, që të mos e konsideronte këtë xhahirëllik, që ka lënduar një pjesë të demokratëve, të mos e konsideronte si një faturë që duhet ta shlyejë, si një borxh që duhet t’ua kthejë. Nuk është e nevojshme që t’i promovojë këta tipa në ekipin dhe lidershipin e PD-së në të ardhmen sepse nuk ka asnjë nevojë. Ata nuk i duhen as dreqit, përkundrazi kanë qenë me kosto për PD edhe në pushtet dhe nuk i japin asgjë të mirë PD-së, sidomos në imazhin e saj për të cilin ka nevojë, sepse jemi në opozitë dhe kemi nevojë për një ringritje të shpejtë. Por mbi të gjitha zoti Basha duhet që të ftojë të gjithë pjesën që votoi kundër tij, që të jetë krenare për bindjen e vet, pavarësisht që nuk përkon me vullnetin e Bashës. Unë nëse do të isha në garë do të frikësohesha nga rezulati 8 me 2. Do doja një rezultat më të pranueshë. Por kjo pjesë nuk duhet të ndjehet e lënduar sepse është agresuar nga demokratët e tjerë të cilët, jo të gjithë kanë zbatuar një orientim të caktuar, sepse shumë prej tyre mund të kenë shkuar shumë thellë në zellin e vet, për të larë edhe hesape të vogla që janë të zakonshme për një forcë politike. Emocione të tilla dalin në pah pas zgjedhjeve elektorale.

Sokol Balla: Zoti Patozi, ju folët dhe përmendet një formë kushtore, të shkuara të foljes do të ndaheshin, do të përcaheshin, pra në një farë mënyrë duket se kjo gjë po ndodh në PD, pra ekziston rreziku i një ndarjeje të frikshme do të thoja unë? A mendoni që kryetari i ri do të spastrojë PD nga ata që ai mendon që ose i përkasin 20 përqindëshit të Olldashit, ose që nuk i përkasin 80 përqindëshit e tij?

Astrit Patozi: Unë uroj dhe besoj që kjo nuk ka për të ndodhur. Për fatin e mirë apo të keq, jam këtu sepse e kam paralajmëruar këtë situatë.

Sokol Balla: Kur e keni paralajmëruar? Në opinionin publik ka një bindje që në partinë tuaj nuk ndodh asgjë.

Astrit Patozi: Partia jonë është më e gjalllë nga sa mund të kenë bindjen ata që s’e njohin nga brenda, aq më keq kundërshtarët, apo analistët kundërshtarë. Partia jonë është e gjallë, dinamike, shumë më lirë nga opinioni që ekziston. Unë mora përsipër që të bej transparencën time, sipas asaj që mendoj, pasi unë i kam rënë alarmit që kjo të shmangej dhe e kam bërë në forumet e PD-së dhe kam dëshmitarë të gjithë anëtarët e kryesisë. Në mbledhjen e fundit, pjesën me dyer të mbyllura, u kërkova rivalëve që t’ia kursenin PD një lloj beteje të pajustifikueshme, apo mungesën e fair-play sepse demokratët janë shumë të goditur nga humbja në zgjedhjet e përgjithshme me kundërshtarët politikë. U kërkova që fushatën mos ta zhvillonin me patetizëm dhe triumfalizëm sepse të dy kandidatët dilnin nga një kryesi që kishte humbur zgjedhjet, dhe sigurisht që për humbjen e zgjedhjeve nuk mund të mbante përgjegjësi vetëm kryetari, sepse menjëherë pas dorëheqjes së Berishës, një prej njerëzve që kanë dalë që kanë thënë që kjo nuk mund të jetë përgjegjësi e personalizuar kam qenë edhe vetë dhe unë i qendroj deklaratave të mia, po ashtu sic i qendroj që peshën e humbjes e ka secili në proporcion me funksionin që ka patur. Ne humbëm në rang kombëtar, nuk humbëm lokalisht.

Sokol Balla: Ajo që vihet re është që zoti Basha, si anëtar anëtar kryesie mban, besoj unë, mban përgjegjësi për rezultatin e Tiranës apo jo?

Astrit Patozi: Sigurisht, nëse e ndjen. Cështja e përgjegjësisë ëshë dicka personale. Unë e ndjej për vete përgjegjësinë dhe une i kam bërë deklaratat e mia. Tani kjo i mbetet zotit Basha që të mbajë ose jo përgjegjësitë e tij.

Sokol Balla: Ju mendoni që ka përgjegjësi zoti Basha?

Astrit Patozi: Unë mendoj që ka. E para si një rang shumë i lartë i PD. Mos harrojmë që kryetari i Bashkisë së Tiranës është posti më i rëndësishëm ekzekutiv, pas kryeministrit në Shqipëri. Pra si anëtar i kryesisë së PD, si ministër i rëndësishëm i 8 viteve të qeverisjes sonë, sigurisht që duhet të ndjejë përgjegjësi. Po ashtu edhe Olldashi që ka qenë i promovuar në pozicione të rëndësishme në administratën politike të PD, por edhe në ekzekutiv. Të dy janë pjesë e përgjegjësisë, por sigurisht që ne rivalët që do konkuronin për kryetar nuk do i merrnim nga Hëna. Nga PD do i merrnim dhe këta besoj që përfaqësonin disa vlera shtesë.

Sokol Balla: Atëherë pse u vu re një diferencë në fushatën mes dy kandidatëve? Pra një reflektim më i madh i Olldashit dhe një triumfalizëm më i madh i Bashës?

Astrit Patozi: Kjo është cështje për të cilën unë kam një vërejtje për zoti Olldashi. Unë nuk hyj tek politikanët dhe njerëzit patetikë dhe triumfalistë. Unë përpiqem të jem realist dhe racional. Parapëlqej njerëzit më me këmbë në tokë. Unë kam një vërejtje për zotin Olldashi. Një lider duhet të jetë më karizmatik, pra më entuziast-ndjellës, ndërkohë që zoti Basha e ka me tepri atë. Unë mendoj që zoti Basha duhet të ishte më me këmbë në tokë, kurse zoti Olldashi më lart. Kjo është vërejtja që mund të them unë në distancë për dy rivalët, që bënë një fushatë dinjitoze. Unë nuk kam asgjë me fushatën e tyre sepse ishte një fushatë që preku të gjitha degët e PD në cdo cep të vendit dhe u shfaqën ide dhe mendime për mënyrën si do të drejtohet nesër PD. Ku është problemi? Unë këmbëngula që duhet të kishim një garë reale dhe këtë e kam thënë para se gara të hapej. Kam thënë dy gjëra, dhe ndaj sot jam i keqardhur dhe detyruar të bej shpjegimet e mia se përse ajo nuk ndodhi. Unë kërkova, sepse PD kishte nevojshme një garë reale, po aq sa edhe një fair-play brenda kësaj gare. Ne s’patëm as garë reale, as fair-play. Për fat të keq.

Sokol Balla: Cfarë ishte kjo?

Astrit Patozi: Ishte një garë fiktive për të legjitimuar një vullnet të paracaktuar, që mund të ishte bërë në mënyrën më të mirë të mundshme duke u deklaruar, sepse s’do të kishte asgjë të keqe dhe do të ishte po kaq demokratike, sic zoti Berisha është zgjedhur vetë pa rivalë në kongresin e fundit, sic ndodh në shumicën e partive popullore, ku lideri mund të votohet me duartrokitje, sic votohet Berluskoni që ka shenjuar pasuesin, sic ka ndodhur me Helmut Kohl që ka shenjuar Angela Merkel e kështu me radhë. Kjo është një praktikë e njohur. Puna është që pse u zgjodh rruga e tretë dhe u aplikua rruga e dytë? Kjo shkaktoi problemin sepse anëtarët e PD, jo të gjitha kanë humoret për të nuhatur parapëlqimet e drejtuesve.

Sokol Balla: Mund të ketë nga ata që mund të mos jenë dakort me zgjedhjen e një lideri, dhe përsa kohë lideri u ofron zgjedhjen me një anëtar, një votë, sigurisht ata mendojnë që kanë të drejtë të zgjedhin një alternativë tjetër.

Astrit Patozi:
Sigurisht, ndaj jam sot këtu, që demokratët bënë detyrën e tyre.

Sokol Balla: Po pse mendoni që zoti Berisha krijoi këtë kosto të panevojshme?

Astrit Patozi: Zoti Berisha është një politikan i madh, një udhëheqës historik, i përmasave të jashtëzakonshme i cili ka shkruar me dorën e vet jo thjeshtë historinë e PD në këto 23 vjet, por historinë e këtij vendi dhe vlerësimi im për Sali Berishën mbetet i njëjtë. Cdo politikan në finalen e tij ka një bilanc dhe mjafton të marrësh një bilanc aritmetik për të analizuar Sali Berishën. Sali Berisha në 21 vjet, që nga ’92 e deri më sot e ka cuar PD 13 vjet në pushtet dhe e ka lënë 8 vjet në opozitë, një opozitë shumë aktive që në një farë mënyrë ka dominuar zhvillimet e rëndësishme të vendit edhe kur nuk e ka patur shumicën e pushteti. Ky është bilanci. Mjafton të themi këtë dhe e kemi mbyllur debatin për Sali Berishën se cfarë është. Por përtej bilancit, Berisha ka merita të jashtëzakonshme sepse ishte njeri që i hoqi themelin komunizmit, një sistemi që na ka shkaktuar kaq andralla si shoqëri, Sali Berisha ishte njeriu që hapi dyert e Shqipërisë, e futi Shqipërinë në KiE, anëtarësoi në NATO etj. Jo thjesht rastësia dhe fati i takoi Sali Berishës që t’i firmosë gjithë këto akte dhe hapa mjaft të rëndësishme të këtij vendi në rrugëtimin demokratik. Por duke thënë këto, unë kurrë nuk kam patur bindjen dhe nuk e kam që Sali Berisha është i dërguari i Zotit në Shqipëri. Sali Berisha është vdektar, si të gjithë ne të tjerët dhe si i tillë nuk përjashtohet nga teoria e gabimit, gjë që nuk e ka bërë kurrë ai vetë, sepse unë njoh dhjetra-qindra deklarata të Berishës ku ka pranuar gabimet e tij dhe ky është një prej tyre. Ky është një gabim tjetër, sepse ne nuk duhet të presim që Sali Berisha, apo gjithkush prej nesh, t’i gjejë vetë gabimet që ka bërë, sepse jo të gjithë gabimet njeriu i gjen dhe ka qejf t’i pranojë.

Sokol Balla: Ka dy llojë gabimesh, ka gabime pa dashje, ka gabime me dashje…

Astrit Patozi: Për mua ky është një gabim i Sali Berishës i cili u bë me dashje, pa dashje është cështje e tij. U projektua apo u bë rrugës, kjo nuk ka shumë vlerë. Rëndësi ka që ky është një gabim, që në bilancin që unë përmenda nuk besoj se e lëviz peshoren. Prapë Sali Berisha këtë bilanc e ka historik, unik në botën demokratike lindore, por edhe më shumë se kaq. E ka unikale historinë e tij, kontributin e tij, por si të gjithë vdektarët, bën edhe gabime. Kjo është historia dhe unë nuk kam asgjë për t’i hequr apo për t’i shtuar kësaj. Ku është problemi? Pse them që kryetari është legjitim, edhe pse mund të kem rezervat e mia për kryetarin e sotëm, sic kam më shumë rezerva për ish-rivalin e tij, Sokol Olldashi, por që s’është vendi t’i them sot sepse do të pres si do sillet si kryetar, sepse opinioni që unë kam sot e kam si ministër, si kryetar bashkie, si anëtar kryesie e kështu me radhë. Kjo është e vërteta.

Sokol Balla: Ju përmendet datën 22 korrik, ka qenë ditëlindja juaj, e drejtë po ka qenë edhe 2 vjetori i marrjes së Bashkisë së Tiranës nga Lulzim Basha dhe një koincidencë apo jo, por duket sikur PD dhe shoqëria i paguan një farë kosto ekstra cdo hapi që bën në karrierë Lulzim Basha, përse?

Astrit Patozi: Kjo nuk është e vërtetë. Unë besoj që Lulzim Basha, sigurisht që ka patur një karrierë të vrullshme dhe në një farë mënyrë nuk i kanë rënë këmbët në tokë, por unë nuk mendoj që Basha nuk i ka justifikuar pozicionet që i janë ofruar nga PD apo kryeministri. Mendoj që i ka tërësisht të justifikuara, që ka aftësi të mira, por mendoj që ka sfida të mëdha përpara që shpresoj dhe uroj që t’i kalojë me përgjegjshmëri shumë të madhe.

Sokol Balla: Ka patur zëra publikë edhe nga vetë PD pas humbjes se ndoshta duhej një periudhë më e gjatë reflektimi dhe një proces jo i nxituar për zgjedhjen e kryetarit të ri. Mendoni se këta kishin të drejtë?

Astrit Patozi:
Jo nuk besoj se procesi u dëmtua për këtë arsye. Unë mendoj që PD duhet të ishte e gatshme në shtator që ashtu sic thotë kryetari i zgjedhur, Basha për një opozitë ballore dhe unë uroj shumë që kjo të ndodhë, unë vetë do jap kontributin në funksion të kësaj opozite. PD kishte nevojë që me shpejtësi të dilte nga një cikël që solli për pasoja rezultati i 23 qershorit. Pse thashë që gara duhet të jetë reale për PD, jo thjesht për të krijuar një model për ta kopjuar edhe pala tjetër, sepse ndoshta mund të mos e bëjë kurrë, por sepse PD në një mënyrë, me ikjen e vullnetëshme të Berishës mbyllte një cikël, ciklin e autoritetit të fortë dhe të gjithëpranuar të Berishës i cili dominoi politikën shqiptare për 23 vjet, model bilanci i të cilit ishte shumë pozitiv dhe nuk ke c’i heq atij. Por edhe për faktin, sic thotë edhe Basha, që është shumë e vështirë të zëvendësosh Sali Berishën, por edhe për shkak se askush prej dy rivalëve nuk mund që në ditën e parë të merrte kishat politike të Sali Berishës. PD kishte nevojë për një garë reale, që do të thotë që anëtarësia vetë të zgjidhte liderin që ai të kishte një mandat të fortë dhe të kompensonte në një farë mënyrë autoritetin e Berishës që nuk e kishin dhe nuk e kanë asnjëri nga rivalët. Kjo nuk ndodhi, sepse u zgjodh…u tha e treta dhe u aplikua e dyta por pra aty shkojmë.

Sokol Balla: Pra pse u bë garë kur fituesi ishte paracaktuar…

Astrit Patozi: Ky ishte gabimi. Nuk është gabim që nuk riparohet. Jam sot këtu që të ftoj këdo që ka mundësi të vendosë një tullë në këtë ndërmarrje jo kaq të vështirë dhe jo kaq të pamundur që ajo që ndodhi më 22 korrik të harrohet sa më shpejt dhe ne të ecim përpara, sepse sloganin e fushatës së 23 qershorit, pavarësisht se rezultuam humbës, e kishim shumë të mirë. PD duhet të harrojë 22 korrikun dhe 23 qershorin dhe të ecë përpara dhe kjo nuk është e pamundur.

Sokol Balla: Por si mund të bëhet kjo, tani flas si përtej gardhit, si mund të bëhet kjo, si mund të harrohet 23 qershori, që është, disfata më e madhe elektorale e PD? Si mund të harrohet 23 qershori? Unë kam përshtypjen që harresa e 23 qershorit, solli edhe një 22 korrik për t’u harruar.

Astrit Patozi: 23 qershori mund të harrohet duke u ringritur shpejt. PD është parti e burrave të fortë dhe e grave të forta.

Sokol Balla: Si mund të bëhet kjo pa bërë një analizë përse humbët? Jo përse humbët zgjedhjet, por pse kaq thellë?

Astrit Patozi: Nuk jam këtu për të analizuar humbjen e 23 qershorit. I takon lidershipit të ri të PD që të bëjë një analizë kapilare dhe unë do jem pjesë e kësaj analize, me përgjegjësitë e mia dhe me llogari-kërkimin sepse e kam këtë të drejtë. Jemi duke analizuar zhvillimet në PD. Një detaj që është pak intim. Ditën e dorëheqjes së Berishës në zyrën time ishte treçereku i drejtuesve të PD, nja 40 vetë, dhe castin që Berisha mbaroi fjalimin, vërshuan edhe një tufë grash shumë të nderuara dhe të respektuara të forumeve të PD që kishin edhe lot. U kam thënë pak me ashpërsi, ndoshta dhe nuk e meritonin në ato momente. Nëse doni të qani, u kam thënë shkoni në shtëpi sepse këtu nuk është vendi të qahet, këtu është PD që duhet të ringrihet me shpejtësi dhe ne do të bëjmë këtë dhe ne i kemi të gjitha potencialet dhe mundësitë për ta bërë këtë. Kjo është e vërteta sepse PD duhet që shumë shpejt të kthehet në xhaminë e vetme ku falen të gjithë ata që do të ndjehen opozitarë që nga shtatori e tutje. Ju siguroj që do të jenë shumë dhe nuk do të jenë vetëm anëtarët e PD. Kjo mbetet një sfidë e lidershipit e ri që ta bëjë këtë në mënyrën sa më të mirë dhe sa më shpejt.

Sokol Balla: Ju i jeni rikthyer shpesh natës kur Berisha dha dorëheqjen dhe më pas thatë se zoti Berisha një nga mënyrat që mund të bëntë ishte të jepte dorëheqjen dhe të mos merrej fare me këtë punë.

Astrit Patozi: Jo, absolutisht. Nuk e them prap. Biles Sali Berisha nuk është e shkuara e PD. Sali Berisha është e sotmja dhe e ardhmja e PD në kuptimin për aq sa duhet të jetë sepse roli i tij është i pazëvendësueshëm edhe në këto defekte që unë përmenda më sipër, edhe në kohezionin e domosdoshëm që ka nevojë PD edhe pas 22 korrikut, por mbi të gjitha që ne të futemi në një cikël të ri. Sali Berisha nuk është thjesht udhëheqës shpirtëror i PD, është udhëheqës real i PD i cili ka dhënë dorëheqjen para pak ditësh me dëshirën e tij. Sali Berisha nuk besoj se ka mbërritur në pikën kur duhet të shkruajë kujtime sepse fizikisht, politikisht dhe moralisht është absolutisht shumë i motivuar që të bëjë aq sa duhet apo aq sa mundet për rimëkëmbjen e shpejtë dhe për rikthimin e PD në kohën sa më të shkurtër në pushtet.

Sokol Balla: Për këtë po flasim. Të gjithë ne besuam që Berisha dha “de jure” dhe “de facto” dorëheqjen.

Astrit Patozi: Kjo është një dëshirë e së majtës që as ai s’ka ndërmend t’ua plotësojë dhe as ne nuk e duam që kjo të ndodhë.

Sokol Balla: Nuk po flas për këtë, por duam të kuptojmë se si do të funksionojë PD nesër? Ideja është, kur një lider, epik do të thoja unë, sic është Berisha në PD dhe jo vetëm, thotë unë do të jap dorëheqjen, atëherë në opinionin publik krijohet bindja se zoti Berisha vërtet do të ishte në politikë, por nuk do të ishte të themi, ai që do të komandonte PD. Faktikisht, para dhe pas 22 korrikut, ekziston bindja në publik se Berisha “de facto” nuk e ka dhënë dorëheqjen…

Astrit Patozi: Po sepse Berisha për fat të mirë apo të keq pati një rol dominant në proces sepse ishte kryetari në detyrë i cili në një farë mënyrë priste pasardhësin. Fakti që kjo garë nuk shkoi mirë, është një problem për zotin Berisha dhe prandaj e ritheksoj që nuk kam asgjë për të thënë sot për legjitimitetin e kryetarit të zgjedhur, zotit Basha, sepse ai ishte përfituesi. Është njësoj si të akuzosh një ekip futbolli, pse arbitri të jep penallti cdo 5 minuta kot dhe pse pranon verdiktin e arbitrit? Po e pranon sepse i intereson që të fitojë. Në këtë rast unë nuk kam akuzë për zotin Basha. Politika brenda garës ka edhe elemente të xhunglës ku jo të gjithë rregullat e lojës janë fair dhe sigurisht që asgjë nuk është perfekte, pranohen edhe goditjet nën brez, pranohen edhe taktikat që të rezultojnë fituese, por këto pranohen kur ke kundërshtarin politik, dhe jo brenda llojit, prandaj them që ishte një ekzagjerim 22 korriku.

Sokol Balla: Kur ju thoni për rregullat e lojës, u fol edhe 2 vite më parë që për shkak të zotit Basha u ndryshuan rregullat e lojës dhe ai mori Bashkinë, tani kjo, ajo që ndodhi në një fenomen pak më të përgjithshëm, tashmë ju rikthyer brenda partisë. Në rregull, deri këtu Basha është përfituesi i penalltive që i ka dhënë zoti Berisha, problemi është ai tashmë sic ju thatë, ai është kryetari i PD-së, dhe PD është shumë e rëndësishmë për demokracinë tonë, aq më tepër përballë kësaj mazhorance të frikshme në vota dhe arrogante në mandate. A do të ketë lirshmërinë zoti Basha që të operojë për një fillim të ri të PD? Një fillim i ri me kryetar “de jure” Bashën dhe “de facto” Berishën, nuk besoj që është një element pozitiv për opozitën.

Astrit Patozi: Unë nuk e mendoj kështu. Unë shpresoj dhe besoj që Basha i ka të gjitha potencialet për të qenë një lider i mirë i PD. Ai këtë s’mund ta bëjë vetëm sepse nuk ka akoma autoritetin e fortë të zotit Berisha dhe aq më tepër në këtë garë nuk mori mandatin e fortë që duhet të merrte. Kjo nuk na pengon ne, sepse në rast se Berisha dominoi me autoritetin e tij të fortë dhe unë kam qenë një nga aktorët e këtij modeli për vite me radhë, mund të kem dhënë dhe kontributin tim në këtë model. Tani PD ka nevojë për një model tjetër, një model më kolegjial, sepse unë kam dëgjuar gjatë fushatës së dy rivalëve që kanë përmendur shpesh kolegjialitetin dhe ekipin. Pra të dy kishin nevojë për këtë dhe tani që është Basha kryetar duhet të shikojmë se sa është i zoti të implementojë atë që u premtoi demokratëve gjatë fushatës. Unë kam bindjen që ai i ka të gjitha potencialet dhe unë mendoj që PD ka shumë vlera, është ADN e shumë shqiptarëve dhe PD nuk është vetëm grupi parlamentar. Në këtë kontekst mendoj që ne ringrihemi shpejt, sepse nuk besoj që kundërshtari do të qeverisë mirë dhe kjo do të ndihmojë në grumbullimin e popullit opozitar rreth xhamisë së vetme ku falesh. Por mbi të gjitha, PD edhe pa gabimet e kundërshtarit është shumë e aftë të korigjojë gabimet e saj.

Sokol Balla: Cfarë do t’i sugjeronit kryetar, nëse ai do t’i merrte parasysh?

Astrit Patozi: Së pari të vendoste rregulla të qarta loje, jo thjesht për pozicionin e kryetarit. PD ka nevojë të rishikojë statutin dhe pas kësaj duhet që atë statut ta zbatojë me përpikmëri sepse jo vetëm ne e zbatojmë, por nuk jemi vetëm ne që s’e zbatojmë, por e bëjnë gjithë partitë në Shqipëri, për fat të keq. Në këto kushte, e kemi shumë të domosdoshme që këto rregulla loje të vendosen në statut dhe rregulli i parë që unë do të vendosja po të isha kryetar i partisë do të ishte normimi statutor i standardit të zotit Berisha, që e bëri pa qenë statutor; dorëheqje në rast se humb zgjedhjet. Pse? Sepse mund të ketë shumë skeptikë që mund t’i duket kryetari i ri i PD sikur e ka me nge ardhjen apo riardhjen e PD në pushtet. Sot, në skenënë tripolare politike, duket sikur 3 faktorët janë në pushtet, njëri është kryeministër, njëri është kryetar parlamenti dhe tjetri është kryetar i Bashkisë së Tiranës. Demokratët, të cilëve nuk u pret puna, për të qenë i sinqertë, dhe unë përfaqësoj këtë lloj demokrati, e kanë me ngut. Duhet që PD të rikthehet sa më shpejt në pushtet, duan një garanci edhe nga lidershipit që jemi në të njëjtën linjë. Pra kjo është normimi statutor i këtij standardi, përcaktimi i rregullave të garës, urgjent një bazë të dhënash i anëtarësisë së partisë që të mos kapemi më pa përgatitur dhe mos ngelin listat e një skuthi anonim që punon në bodrumin e PD që në një farë mënyrë ka bërë cfarë ka dashur me listat, por nuk ja vlen që të merremi me këtë histori, pavarësisht se edhe listat dhanë kontributin e tyre.

Sokol Balla: Kush është ky skuthi anonim?

Astrit Patozi: Nuk ka rëndësi. Kur them anonim është një personazh që nuk e njeh askush dhe nuk besoj që kjo lloj rrace do ndihmojë PD për t’u ringritur apo për të bërë opozitën që duhet të bëjë. Kjo do ishte e para. E dyta zoti Basha duhet të garantojë cdo votë kundër që gjithkusht të krenohet me bindjen e tij. Së treti mendoj që PD ka nevojë për një imazh të ri, por jo fals. Ne nuk kemi nevojë për figurina dhe për një brez që thjesht dhe vetëm tregon imazhin televiziv. Ne kemi nevojë për një lidership plotësues, përtej këtij që është, duke ruajtur resurset dhe vlerat e këtij ekipi, kryetari i ri duhet të plotësojë dhe hapë PD. Ne e kemi të pamjaftueshme betejën opozitare, unë shpreh keqardhjen për këtë. Por grupi ynë parlamentar ka disa probleme, e para është i vogël për të bllokuar, megjithatë unë i mbetem parimit që opozita nuk është cështje numrash, është cështje fryme, morali, besueshmërie. Ne mund të kompensojmë fare lehtë mungesën e numrave në parlament me një opozitë ballore, jo vetëm parlamentare, por në cdo thëngji të PD ku do kemi njerëz dhe ekspertë, sekretariate dhe forume të tilla që do jenë vëzhguesit e hollë të qeverisë. Kjo është një nga mangësitë e grupit tonë parlamentar. Tjetër është që, ne brenda listës së PD kemi edhe disa aleatë. Unë nuk kam asgjë kundër tyre, por tradita në Shqipëri, tregojnë që këta aleatët e vegjël, partitë e vogla, kur shkojnë në opozitë më shumë i interson të zgjidhin ndonjë hall me qeverinë se sa të jenë një opozitë e vërtetë. Kështu që PD i dyfishohet barra dhe pjesa tjetër ëshë që sado kreative të jetë lidershipi i ri politik apo aksionet e reja, është pak i vështirë interpretimi në parlament që mund të shkaktojë ndonjë befasi, sepse megjithë respektin që kam me pjesën më të madhe të grupit të PD që do jenë në shtator, tek e fundit dihet se deri sa shkojmë dhe cfarë mund të japim.

Sokol Balla: Ju harruat që keni edhe një problem tjetër, keni këta deputetët e kleringut…

Astrit Patozi: Që të mos dalim nga tema, këto lloj ngërçesh mund t’i ketë grupi parlamentar i cili nëse do të jetë kompakt mund t’i kompensojë. Duhen plotësuar me një lidership të ri, forume të reja ku jo thjesht mosha duhet të jetë ajo që…sepse kam dëgjuar zotin Berisha të thotë se kjo është mosha e lirisë, ndërkohë që diferenca mes dy rivalëve është vetëm 1 vit. Njërit i takon të jetë mosha e lirisë, tjetri i takon që ose të mos ketë moshë fare, ose të jetë mosha e robërisë. Kjo nuk është cështje moshe. Unë nuk pres që kjo cështja e moshës të shpëtojë PD, megjithëse edhe unë bie dakort që ne duhet të kërkojmë më shumë energji tek rinia, sepse rinia ka një prirje për shumë arsye që të votojë PD. Kjo nuk duhet të jetë cështje shokësh klase, të themi psh të kryetarit. Absolutisht sepse edhe ai s’e mendon një gjë të tillë. Nuk është cështje moshe, cështje brezi është cështje dhuntish, cështje formimi, shkollimi, eksperience dhe gare.

Sokol Balla: Është edhe cështje gare

Astrit Patozi: Ne kemi nevojë për rregulla loje të qarta, sepse gara do të vijë. Nuk mund të mendosh që ka parti që mund të shpëtojë pa garë. Garën mund të shmangësh njëherë, të vonosh herën tjetër, por ajo do të vijë. Ndaj them që askush nuk duhet të dekurajohet nga një garë e humbur, aq më tepër kur kjo është brenda llojit.

Sokol Balla: Në fillim të analizës se atë se cfarë duhet të bëjë kryetari i ri, një nga gjërat që ju thatë që ai nuk duhet të bëjë është që të mos e marrë me qetësi, me nge për shkak se mund t’i duket vetja në pushtet…

Astrit Patozi:
Nëse ne do ta merrnim ne nge, i bie që ky proces të zhvillohej me ngadalë diku nga nëntori. Ne bëmë blitz dhe bëmë shumë mirë.

Sokol Balla: Iu referuat 3-polaritetit, pra Kryeministri i PS, Kryetari i Kuvendit i LSI-së, kryetari i Bashkisë së Tiranës i PD-së. Përse kur vjen puna tek zoti Basha edhe nga jashtë PD edhe nga brenda PD përmendet shpesh një farë raporti special që ai ka me LSI-në?

Astrit Patozi: Sigurisht që politika nuk i ndan gjërat me thikë. Pavarësisht kampeve të kundërta ka edhe marrëdhënie njerëzore. Unë personalisht nuk përjashtoj miqësi me kundërshtarët politikë dhe këtë nuk mund t’ia kërkoj dikujt tjetër këtë gjë. Një gjë që s’e kam kompleks për vete, s’kam pse ja kërkoj kurrëkujt. Kam përshtypjen që ka një fryrje shumë të madhe se sa c’ka realizëm në këtë…

Sokol Balla: Zoti Olldashi e ka akuzuar direkt zotin Meta dhe partinë e tij për përfshirje në këtë garë…

Astrit Patozi: Zoti Olldashi duhet të jetë i qartë që nuk ka qenë kjo arsyeja që ai humbi këto zgjedhje, pavarësisht nëse ka apo nuk ka të drejtë në akuzën e tij. Unë nuk jam me këtë bindje. Unë mendoj që Lulzim Basha ka një shans që duhet të shfrytëzojë në dinjitetin e detyrës me përgjegjësi që ka marrë përsipër. Unë besoj që ai nuk do ta shpërdorojë këtë shans.

Sokol Balla: Si do të funksionojë opozita e ardhshme sipas jush?

Astrit Patozi: Do të jetë një opozitë jo vetëm parlamentar, në shumë fronte.

Sokol Balla: Zoti Berisha ka përmendur edhe protestat…

Astrit Patozi: Unë nuk përjashtoj asnjë nga format demokratike të reagimit. Besoj që jemi shpejt të përmendim protestat sepse cdo qeveri në botë ka një marzh të caktuar tolerance ku opozita duhet të presë për të parë lëvizjet e para dhe pastaj të nisë aksionin e saj opozitar, denoncimin dhe alternativën dhe kjo është opozita që unë shpresoj që ne të kemi. Një opozitë ballore, me të gjitha bateritë, me të gjitha fenerët drejtuar mazhorancës dhe qeverisë, por edhe alternativë. Ne nuk mund të bëjmë gafat e Edi Ramës, qoftë edhe njërën prej tyre.

Sokol Balla: Si përshembull?

Astrit Patozi: Refuzimi i statusit për 3 vite rresht, ishte një gafë e tmerrshme dhe vetëm disa ditë para zgjedhje u kandis që të vijë të votojë ca ligje do t’i kishin dhënë më shumë hapësirë Shqipërisë dhe atij vetë.

Sokol Balla: Bojkoti i parlamentit?

Astrit Patozi: Të gjitha bashkë, bojkoti, 21 janari, beteja për hapjen e kutive, që nuk i qendron më, të gjitha këto, por mosmarrja e përgjegjësisë si lider. Ky është kontrasti i madh mes dy lidërve, Berisha e mori përgjegjësinë e humbjes i vetëm, ndonëse nuk është i vetëm përgjegjës për humbjen. Mori përgjegjësitë i vetëm dhe bëri gjestin që duhet duke dhënë dorëheqjen, kurse tjetëri katër vite të kaluara, jo vetëm që nuk e bëri, por nuk la gurë pa lëvizur dhe gjë pa bërë që Shqipëria të penalizohej për shkak se atij nuk i priste puna për të ardhur në pushtet.

Sokol Balla: Mendoni që zoti Berisha do ishte sjellë ndryshe nëse rezultati do të ishte 71 me 69.

Astrit Patozi: Absolutisht Berisha do kishte mbajtur të njëjtat qendrime.

Sokol Balla: Jo flas edhe për 2013-ën, nëse do ishte rezultati 71-69?

Astrit Patozi: Kjo është prova. Është provë shumë e qartë. Sot është dita që dikush, i paanshëm do t’i kërkojë Edi Ramës që të kërkojë ndjesë për 2009, ta gëzosh fitoren e këtij viti, por kërko ndjesë për 2009 sepse i ke shkaktuar shumë probleme këtij vendi dhe ke shkaktuar shumë probleme në katër vite, që nuk do të bënte një opozitë normale. Unë nuk besoj që do të bëjmë këtë lloj opozite.

Sokol Balla: Ju përmendët dhe këtë e ka thënë në këtë studio edhe Olldashi, që qeverisë duhet t’i lëmë një periudhë pritje, por ajo që kemi parë këto dy javë, kemi parë zëdhënësa të qeverisë aktuale që dalin e i bëjnë opozitë qeverisë imagjinare, që për fat të keq është imagjinare, nuk dihet se cilat janë ministrat e rinj. Ju këtë duhet të bëni sot, që kjo mazhorancë që është votuar, ka detyrimin ligjor të dalë e të thotë, kjo është qeveria. Kjo s’po ndodh!

Astrit Patozi: Pse ju mendoni se opozita do të presë për një foto të qeverisë për ta kundërshtuar?

Sokol Balla: Jo po them që duhet të niste nga kjo.

Astrit Patozi: Jo sepse një qeveri, nuk varet nga fytyrat e ministrave që zgjedh se sa nga koncepti që ka. Keni dëgjuar ju që ne të ftojmë shqiptarët për zgjedhjet të parakohëshme? Jo. Ne po tregojmë që kemi detyrë si kundërshtarë politikë, që t’u themi që këta po gabojnë dhe po mashtrojnë ende pa zënë zyrat. Ne nuk kemi nevojë të dimë ministrat kur ai thotë që unë nuk i qendroj sistemit shëndetësor falas, nuk i qendroj taksës progresive, heqjes së taksave etj. Ne jemi të sqaruar që të bëjmë një transparencë me publikun që ta dijë që ka votuar një piramidë premtimesh. Kjo s’është përgjegjësia jonë dhe nuk na shfajëson. Ne i humbëm zgjedhjet dhe ne i kemi marrë përgjegjësitë dhe i humbëm. I humbëm ne dhe nuk i fitoi PS, sepse rezultati e tregoi këtë.

Sokol Balla: Cili është raporti që ju keni me Sali Berishën?

Astrit Patozi: Është një histori 18-vjecare, që nga ‘95 e deri më sot, komunikim i përditëshëm, që kur kam qenë kryeredaktor i gazetës “Albania” të asaj kohe e deri sot që po flasim. Raport korrekt, që kemi patur vlerësim dhe respekt të ndërsjelltë, marrëdhënie institucionale përfekte. Besoj që kam patur mbështetjen e tij përsa kohë kam qenë i propozuar prej tij dhe unë kam fituar me një votë më plebishitare se sa Lulzim Basha në momentin kur jam zgjedhur. Nuk i heq asnjë presje konsideratave të mia për mënyrën e bashkëpunimit që zoti Berisha ka me bashkëpunëtorët e tij më të afërt, por edhe me më të largtët, militantët e PD-së.

Sokol Balla: Mendoni që Berisha do t’i quajë korrekte reagimet tuaja të sotme? Nëse raporti juaj do të cënohet nesër?

Astrit Patozi: Nuk e di. Kjo është një pyetje për zotin Berisha, por unë e pashë të udhës që të bëj një transparencë duke patur parasysh faktin që u përpoqa në forumin më të lartë të partisë që të shmang një gjë që fatkeqësisht ndodhi. Kërkova fair play, që fushata mos shkaktonte lëndim. Kjo nuk ndodhi dhe unë këtë e ndjej detyrim ta them, pavarësisht i pëlqen apo jo Berishës. Por kjo nuk ndryshon konsideratën time për zotin Berisha.

Sokol Balla: Pavarësisht se si do të sillet me ju nesër?

Astrit Patozi: Absolutisht nuk ndryshon asgjë. Por nuk besoj që ka ndonjë gjë për të ndodhur në këtë situatë.

Sokol Balla: A ka anëtarë të lidershipit të PD-së që mendojnë si ju?

Astrit Patozi: Mund të ketë, por nuk më intereson shumë mendimi i të tjerëve, unë përfaqësoj atë që unë pashë me vend për të bërë transparencën e një procesi që duhet të kishte shkuar mirë, por nuk rezultoi kështu. Ftoj cdo njeri të lënduar, unë personalisht nuk ndjehem i lënduar sepse s’ka ardhur njeri të më bëjë presion për votën. Por skena të tilla nuk duhet të ndodhin në të ardhmen sepse nuk është ky qëllimi i një gare brenda lloji. Kjo është bindja ime.

Sokol Balla: Pranohet që një pjesë e mirë e kryesisë së PD simpatizonte Sokol Olldashin dhe këtu jeni radhitur edhe ju…a ka klane dhe grupe në PD?

Astrit Patozi: Nuk ka dhe nuk duhet të krijohen. Asnjë ngjarje politike, sado e hidhru qoftë nuk duhet të shërbejë që PD të klanizohet dhe unë e kam bindje këtë. Për këtë jam sot këtu. Nuk duhet t’i hyj thashethemeve që merren me emra të përvecëm. Kam respekte njësoj si për 80 përqindëshin ashtu edhe për 20 përqindëshin sa kohë të jem nënkryetar dhe deputet i PD-së. E kam thënë në atë mbledhje dhe i qendroj edhe sot, që për ne nuk kishte rëndësi rezultati, por procesi. PS para ca vitesh bëri një farsë. Ishte komedi. Garë pa kandidatë. Ne nuk arritëm në këtë pikë. Ne ishim seriozë sepse kishim kandidatë, por për shkak se kishim kandidatë, nuk lejuam garën dhe kjo ishte dramë pastaj.

Sokol Balla: Edhe në PS nuk e pengoi asnjë Ben Blushin apo Arben Malajn që të kandidonin…

Astrit Patozi: Kjo ishte dramatike por jo tragjedike, ndaj them që PD i ka të gjitha mundësitë që të ringrihet menjëherë duke lënë menjëanë të gjitha. Në shtator ne jemi të gjithë opozitarë.

Sokol Balla: Cfarë pozicioni mendoni se do keni në PD me kryetarin e ri Basha?

Astrit Patozi: Kam patur një karrierë të natyrshme dhe nuk kam zgjedhur kurrë dhe për këtë dëshmitar është Berisha dhe kam pranuar përgjegjësitë që më janë ofruar dhe kam mirënjohje për besimin e Berishës për mua. Jam përpjekur që në këto vite të përkushtohem dhe të jem i përgjegjshëm. Si e shikoj veten në të ardhmen e PD. Unë nuk do të jem më as nënkryetar i PD dhe as kryetar i grupit parlamentar. Nuk do të kandidoj për asnjë nga pozicionet ekzekutive të PD-së dhe pozicioni im parlament do të jetë jashtë cdo ofiqi parlamentar. Do të jem thjesht deputet i PD. S’do të kandidoj për asnjë ofiq parlamentar. Do të jem ushtar i përkushtuar i ekipit të PD në parlament dhe jashtë tij, do të jem i vetëzhveshur nga të gjitha gradat, do të jem një deputet i përkushtuar, i përgjegjshëm. Do të kryej me përkushtim dhe angazhim cdo detyrë që do më ngarkohet. Vetëzhveshja nuk ka të bëjë as me 23 qershorin dhe as me 22 korrikun. As ma ka kërkuar njeri këtu dhe as e di ca ka ndërmend të bëjë kryetari i ri. Cliroj veten sepse unë nuk jam politikan që ambicien për t’u ngjitur e kanë qëllim në vetvete. Kam dhënë prova për këtë. Ka në këtë xhungël edhe politikanë të këtij tipi. Unë kam menduar para zgjedhjeve të 23 qershorit u kam thënë që pavarësisht rezultatit nuk mund të jem më përfaqësuesi i PD në Kuvend. Ndaj e cliroj lidershipin e ri dhe Lulzim Bashën të më ofrojë një nga këto pozicionet sepse e kisha bërë ndërmend të tërhiqesha një rresht mbrapa. Kjo nuk do të thotë që kam hequr dorë nga politika.

Sokol Balla: Vetëzhveshja nga ofiqet edhe brenda PD, mos do të thotë që do jeni potecialisht i vëmendshëm ndaj zhvillimeve të brendshme në PD?

Astrit Patozi: Absolutisht. Unë e kam detyrim sepse unë besoj që cdo anëtar i PD duhet të jetë i vëmendshëm se cfarë ndodh në shtëpinë e tij. Unë shpresoj që në shtator të jemi të përgatitur për një fillim të ri.

Sokol Balla: Cfarë ndodh nëse lidershipi i ri i partisë fillon këtë fushatën e spastrimeve dhe të vrasjes së demokracisë së brendshme të partisë. Cili do të jetë aksioni i brendshëm u juaji dhe të tjerëve që mendojnë si ju?

Astrit Patozi: Më duket skenar horror që unë s’e besoj. Nëse kjo do të ndodhë ky nuk është më problem personal, por institucional, një sëmundje që duhet kuruar prej të gjithëve. Unë s’e besoj këtë skenar. Nëse unë duhet të prisja gjueti shtrigash, duhet të ridimensionoja deklaratën time, që s’kam ndërmend ta bëj.

Sokol Balla: Ama reagime të forta duhet të prisni.

Astrit Patozi: Nuk është se nuk i pres. Por mua nuk më intereson cilido qoftë qendrimi. Unë hyj tek kategoritë e personave që s’jam ankuar as me mesazh, as me figurë për askënd. Por kam thënë fjalët e mia për secilin dhe gjithëkënd dhe nuk më intereson shumë cili do të jetë reagimi i kujtdo nesër. Unë mirëpres cdo reagim që nuk nxitet nga arsye djallëzore apo personale. Këto të fundit do t’i shërbejnë dikujt për t’u ngjitur në PD, ua kam falur që sot.

Sokol Balla: Duke qenë që disa organe mediatike janë afër me kryetarin e ri Basha…

Astrit Patozi: Tani i vetëzhveshur, tani unë e kam më të thjeshtë sepse unë vij nga shtypi dhe tani e kam më të lehtë për t’iu përgjigjur në mënyrë ballore të gjitha atyre që do përpiqen të përfitojnë nga një deklaratë apo qendrim politik transparent dhe krejtësisht në bindjen e lirë timen. Mund të ketë edhe analistë të thonë pse zgjodhe Top Channel.

Sokol Balla: Këtu erdhi dhe zoti Berisha…

Astrit Patozi: Unë s’kam patur probleme për ballkonet mediatike. Fare. Unë vazhdoj ta konsideroj median si një mundësi që i jepet politikës për të shpërfaqur programin, pavarësisht nëse politika editoriale e medias është pro apo kundër forcës time. E dyta, erdha këtu se ku do të shkoja tjetër? Fevzo e para na ka dalë pak armik dhe e dyta ka shkuar me pushime të parakohëshme, ndonëse zgjedhjet nuk ishin të parakohëshme, Cim Peka kam parë që po kërkon lidhjet e krimit të organizuar me një pjesë të PD-së dhe i bie që është faji i Sali Berishës dhe PD-së që lejoi një përfaqësues të krimit të organizuar të garojë, sepse kështu i bie tani. Ndaj erdha këtu pa asnjë lloj kompleksi.

Sokol Balla: Mund të kishit dhënë intervistë tek gazeta 55…

Astrit Patozi: E para ua di hallin, e dyta ua njoh stilin. Unë di mënyrën si funksionon një mediat dhe kjo është një cështje eksperience, nuk është dhunti e imja. E di që shumë prej tyre kanë fantazi të shfrenuar, por edhe unë vetë nëse do jem viktimë, sigurisht që edhe unë kreativ jam. Një gjë di, që Fahri Balliu do thotë që unë jam ish-bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, më e pakta dhe pastaj një mori tjerash. Por meqë ra fjala tek reaguesit me pagesë dhe pa pagesë. Do i kërkoja miqësisht kryetarit të ri që të mbajë larg PD disa pengmarrës, gjobëvënës, të cilët vazhdimisht në vite për fatin tonë të keq i janë ngjitur PD dhe i kanë kërkuar pambarimisht dëmshpërblim që jo rrallë e kanë marrë për një shërbim që s’e kanë kryer kurrë. Unë nuk besoj që disa mbeturina mediatike përmirësojnë imazhin e PD. PD duhet të shpëtojë nga trafikantët e influencës. PD duhet të shpëtojë prej xhahilëve që kanë shpërdoruar pushtetin e saj, që i kanë dhënë kosto elektorale dhe në imazh. PD ka nevojë për një imazh të ri, fillim të ri të ecë përpara që në shtator.

Sokol Balla: Do të kërkoja dy këshilla apo sugjerime për kryetarin e ri për dy cështje të rëndësishme. Një nga gjërat që kandidati tjetër…

Astrit Patozi: Se harrova, tërhiqem nga funksioni im si kryetari i grupit të punës i Qarkut të Vlorës. 

Sokol Balla: Pra ju nuk do të merreni më me Qarkun e Vlorës?

Astrit Patozi: Përderisa tërhiqem nga të tjera, tërhiqem edhe nga kjo. Nuk i kërkoj askujt që të ndjekë shembullin tim. Nëse këta reaguesit do të gjejnë ngushëllim me faktin që u gjet poliagjenti dhe të ngushëllohen me faktin që i kam humbur unë zgjedhjet edhe në Shkodër, edhe në Tiranë edhe kudo.

Sokol Balla: Rivali tjetër i zotit Basha, zoti Sokol Olldashi bëri një diferencë të qartë midis tij dhe rivalit sa i përket raporti me LSI. Gjithashtu zoti Basha gjatë fushatës së tij, nga fjala hapëse u duk se dha një sinjal të qartë hapjeje ndaj FRD-së. Cila do të ishte këshilla e Astrit Patozit, tashmë të dorëhequr nga gjithcka, për kryetarin e ri, për këto dy elementë të rëndësishëm të një beteje politike nesër, pra LSI-në dhe FRD-në?

Astrit Patozi: Unë nuk lidh aksionin opozitar me emra të përvecëm. Ne do të kemi një opozitë frontale, në parlament dhe kudo. Opozita nuk përjashton as taktikat, një opozitë aktive mund të shikojë edhe mundësitë e taktikave politike. Por nuk e shoh që duhet të përqendrojmë vëmendjen tek taktikat sa tek shëndoshja e bazës opozitare dhe konsolidimi i makinës elektorale të PD. E thashë, aleatët i kemi deficitarë.

Sokol Balla: Prisni të largohen?

Astrit Patozi: Nuk pres që të largohen, por nuk e pres që të shkëlqejnë. Ndoshta jam i padrejtë, ndoshta jam i vrazhdë me ta, por kjo është historia dhe tradita që kemi patur. PD do kthehet avokatja e vetme e cdo opozitari në Shqipëri. E ka detyrë dhe duhet ta bëjë sa më shpejt.

Top Channel