Mbyllet rinumërimi i Shkodrës

25/07/2013 00:00

“Sistemi i numërimit të votave nuk ka funksionuar!”
“Lezha na tregoi një realitet që nuk e kishim parashikuar.”

Ishin këto argumenta që anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve përdorën një javë më parë në vendimarrjen për rinumërimin e votave në të gjithë qarkun Lezhë dhe Shkodër.

Saga e rinumërimit në sallën e institucionit më të lartë zgjedhor mori fund pasditen e të enjtes, duke i dhënë fund pretendimit të republikanëve për një mandat në Shkodër dhe duke rrëzuar  argumentin e  anëtarëve të KQZ-së për fenomen masiv të deformimit të votës. Në finale, rinumërimi konfirmoi një proces të rregullt dhe korrekt, ku vetëm në 1 ZAZ nga 8 që ka qarku i Shkodrës, pati mospërputhje të vogla, të pandjeshme në shpërndarjen e mandateve.

Paradoksalisht me pretendimin për vjedhje të votave të republikanëve rezultoi e kundërta, duke çuar në thellimin e diferencës prej 158 votash që ndante mandatin mes PD-së dhe PR-së, në 236 vota.

Në përfundim të këtij procesi që të majtët e kundërshtuan si të paligjshëm nga një KQZ me katër anëtarë dhe të djathtët e mbështetën, të dyja palët bien dakord në një konkluzion.

Genc Gjonçaj, përfaqësuesi i PS-së në KQZ, deklaroi: “Rinumërimi pastroi akuzat për vjedhje mandatesh nga paratë e drogës, siç dëgjuam këto ditë. Rinumërimi hoqi çdo dyshim për rezultatin.”

Njazi Kosovrasti, përfaqësuesi i PD-së në KQZ, tha: “Pretendimi i PR-së nuk mund të kundërshtohej sepse e kemi aleat dhe duhet të ruanim marrëdhënien. Doli e kundërta e asaj që ata kishin shqetësim.”

Ndërsa KQZ-ja duket se kreu misionin e saj, shpallja e rezultatit përfundimtar kërkon ende ditë të tjera. Qarku i Kukësit është në proces ankimor në Kolegj, pritet qarku i Lezhës të ankimohet gjithashtu në Apel, ndërsa nuk mungojnë as pretendime të tilla si Partia Kristian Popullore Demokrate që ka ankimuar në Kolegj të gjitha qarqet, duke shtyrë finalizimin e procesit zgjedhor të 23 qershorit.  

Top Channel