Pa mbaruar klasën e nëntë, Anxhela Hado u martua me fqinjin e saj Ersnik Gjoshin, një martesë kjo që për shkak të moshës së mitur u deklarua si fejesë.

Për tre vjet martesa e tyre dukej e bukur nga jashtë, deri ditën kur 26-vjeçari filloi të ankohej për shqetësime shëndetësore. Pavarësisht vizitave mjekësore, askush nga të afërmit nuk dyshoi se në fakt i riu vuante nga çrregullimet mendore e për këtë duhet të kërkonin ndihmën e një psikiatri, deri ditën kur ai e vrau Anxhelën me thikën e bukës.

Një krim që u bë larg syve të familjarëve brenda në shtëpinë që prindërit ua kishin ndërtuar në mënyrë që çifti të krijonte familjen e vet. E motra Marjeta, e cila gjashtë muajt e fundit e ka bërë dhjetëra herë rrugën e Tiranës për të vizituar Ersnikun tregon: “E kam çuar tek doktorët më të mirë. Në fillim dyshonim për probleme në veshka, por na thanë që nuk ka asgjë.”

Krimi duket se është paralajmëruar nga i riu, i cili një ditë më parë ka biseduar me gjyshen: “Më tha unë do të vdes nesër. Nuk jam mirë, kam siklet.”

Por, më shumë se gjithçka që çifti po kalonte probleme për shkak të sëmundjes së 26-vjeçarit i tregon kjo letër e shkruar nga vetë autori i vrasjes së Anxhelës, i cili i rrëfen asaj:

“Të kam dashur por nuk e shprehja , DUA TË BËHEM MIRË DHE I LUTEM ZOTIT të jem i fortë dhe i guximshëm. Doktorët më shkatërruan se nuk e dinin që kisha alergji , por Zoti do të bëjë gjënë më të bukur që do të mëshirojë. Të lutem o Zot, prania ime mbi ty është dashuria dhe të dua me gjithë shpirt, prandaj jam i mërzit.”

Por, ndërsa kryefamiljari Ramiz Gjoshi ka vendosur të heshtë për shkak të dy hymbjeve sipas tij, të nuses dhe të djalit, për Nadiren një shikim mbi foton e dy të rinjve nuk kalon pa lot.

Komshinjtë ende nuk arrijnë të besojnë çka ndodhur në familjen Gjoshi. Një nga fqinjet thotë: “Erdhi tek ne dhe tha na vranë. Erdhën edhe dje, por nuk na vranë dot.
Ai nuk ishte mirë, fliste kot.”

Anxhela nuk jeton më, njeriu që e vrau rrezikon burgun e përjetshëm nëse rezulton i aftë mendërisht, ndërsa përveç  dhimbjes së madhe që u la kjo ngjarje pasojat e krimit do t’i vuajnë edhe dy familjet përkatëse.
Nadire Gjoshi shprehet: “Nuk na pritën për ngushëllime, e qava Anxhelën këtu e këtu do ta qaj.”

Top Channel