21 Janari, përjashtohet gjyqtari

23/07/2013 00:00

Gjykata e Apelit ka pranuar kërkesën e avokatit  të Ndrea Prendit për të përjashtuar nga trupa e gjykimit të dosjes “21 Janari”, gjyqtarin Fatos Qato.

Sipas gjykatës shkak i përjashtimit të gjyqtarit Qato nga cështja ka lidhje me konfliktin e interesit.

Më konkretisht, referuar kërkesës së avokatit Genci Gjokutaj, duke qenë se bashkëshortja e gjyqtarit është pjesë e strukturave të Partisë Socialiste, është pikërisht ky subjekt që organizoi demonstratën e 21 janarit.

Ky argument duket se është parë si moment konfliktual për ta lejuar gjyqtarin Qato të jetë pjesë e gjykimit të të pandehurve Ndrea Prendi, Agim Llupo dhe Margarit Kume.

Procesi i 21 janarit, aktualisht ka vetëm një gjyqtar, relatorin Astrit Haxhialushi. Dy të tjerët dolën nga përbërja e treshes duke qenë se gjyqtari Agron Papajani u dorëhoq me kërkesë të mbrojtjes pasi kishte marrë pjesë në caktimin e masës së sigurisë për Agim Llupon, ndërsa Qato për shkak të bashkëshortes.

Pritet që shorti të caktojë dy emrat e tjerë të trupës gjyqësore për cështjen, tashmë më të rëndësishme të drejtësisë shqiptare.

Top Channel