Greqi, policia vret shqiptarin e arratisur

21/07/2013 00:00

Policia greke ekzekutoi të shumëkërkuarin shqiptar, Marian Kola, të arratisurin nga burgu i Trikallës. Ngjarja ndodhi gjatë orëve të para të mëngjesit të së dielës, në vendin e quajtur Vrosina, 15 kilometra nga kufiri shqiptaro-grek, në Thesproti.

Sipas autoriteteve greke, Marian Kola dhe i arratisuri tjetër nga burgu i Trikallas, Ilir Kupa, po tentonin të kalonin lumin Kalama, përmes një shtegu që përdorej prej trafikantëve të drogës, që e përshkojnë shpesh këtë zonë, kur u diktua prej forcave të shumta të policisë, që u ishin vënë në ndjekje prej 4 muajsh.

Sipas burimeve të Top Channel, në vendngjarje, në momentin e përleshjes së armatosur, në zonë kishte mjegull të dendur. Vetëm 10 metra larg policisë, Marian Kola kuptoi se gjendej në një pritë të policisë dhe mundi të qëllojë me kallashnikovin e tij, me një breshëri prej 4 plumbash.

Nga ana e tyre, policët qëlluan me breshëri, por vetëm një plumb është gjendur mbi trupin e viktimës.

Sipas burimeve, plumbi ka hyrë në shpinën e Kolës. Ai vdiq pak çaste më vonë nga hemorragjia. Nga plumbat e policisë, dyshohet se është plagosur edhe i kërkuari tjetër, Ilir Kupa, i cili ende nuk është kapur prej autoriteteve.

Ndërsa, prej breshërisë së Kolës, një polic u plagos në gju, por gjendja e tij shëndetësore paraqitet e mirë. Në vendngjarje u gjetën edhe një çante me fishekë dhe një granatë, si dhe një sasi parash.

Kola kishte me vete dhe një sasi ushqimesh të gatuara, çka tregonte se ditët e fundit ai ishte fshehur në ndonjë banesë të braktisur të zonës. Ndërkohë që operacioni për kapjen e Ilir Kupës vazhdon, autoritetet thanë se do ta dërgojnë trupin e Kolës në morgun e spitalit të Janinës, ku pasi të kryhet autopsia do t’iu dorëzohet familjarëve të tij.

Të 11 të burgosurit, të gjithë shtetas shqiptarë, u arratisën nga burgu i Trikalas, 320 kilometra në veri-perëndim të Athinës, me 23 mars të këtij viti në orët e para të mëngjesit. Të gjithë ishin të dënuar për grabitje dhe vjedhje.

Në fillim të muajit, forcat speciale greke të angazhuara në operacionin për kapjen e të arratisurve vranë dy prej tyre me të paktën 20 plumba në trupin e secilit.

Top Channel