Pas takimit të parë në mesin e muajt Maj, ish-kryeministri britanik Toni Bler kësaj here e priti në Londër Edi Ramën si kryeministrin e zgjedhur të Shqipërisë. “Takim pasionues rreth 2 ore me km Blair për piketat e para të qeverisjes”, ky ishte komenti i parë i Ramës menjëherë pas takimit nëpërmjet rrjetit social Twitter.

Rama dhe Bler në prononcimet e tyre pas takimit kanë qenë të kujdesshëm duke mos folur nëse kishin arritur  terma konkretë të bashkëpunimit pas gatishmërisë së shprehur nga Bler në takimin e Majit për ndihmuar me këshilla Ramën nëse ai fitonte zgjedhjet.

“Fillimisht dua të uroj Edi Ramën për fitoren e tij të jashtëzakonshme. Ky është një moment i duhur për Shqipërinë për t’u bashkuar me qeverinë e re e cila ka një program të ri. Jam i sigurtë se ekziston një vullnet i mirë në komunitetin ndërkombëtar që kjo qeveri të eci mirë dhe të jetë e suksesshme. Sfidat e vendit janë shumë të mëdha, por unë e di se ka një vendosmëri të jashtëzakonshme për t’i tejkaluar ato. Si dikushi që e konsideron veten një mik të Shqipërisë dhe shqiptarëve ne jemi të lumtur t’ju ndihmojmë me mundësitë tona më të mira.  Të uroj Edi cdo të mirë pasi unë e di se cfarë punë e vështirë është të  jesh kryeministër. Pac fat dhe duhet ta dish se ekziston një ndihmë e madhe për ju në komunitetin ndërkombëtar në mënyrë që ta përmbushni me sukses këtë detyrë”, deklaroi Toni Bler.

“Është një kënaqësi shumë e madhe që takimin e parë pas zgjedhjeve, jashtë Shqipërisë, unë e bëj me një mik të madh, që përveçse çka njihet është edhe një pikë referimi e kahershme e imja dhe e jona si Parti Socialiste. Ndërkohë jam shumë i lumtur që kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh, një kryeministri që ka lënë gjurmë në historinë e Anglisë dhe të botës mbarë dhe e një njeriu që nuk harron asnjëherë të përsërisë se është një mik i madh i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, deklaroi Rama.

Një lexim mes rreshtash në deklaratën e Ramës ku ai thotë se “kjo fitore na jep mundësinë të kemi ndihmën e një miku të madh” lë të kuptohet dakortësinë e Bler për të këshilluar kryeministrin e ri të vëndit.

Më herët kreu i PS-së kishte bërë dallimin mes këshillimit nga Bler dhe Podestës, kur tha se “Ka një ngutje të madhe, të kotë për të bërë krahasime mes Blair-it dhe Podesta, që paguhen me paratë e shqiptarëve për të dezinformuar opinionin ndërkombëtar dhe për të zbukuruar imazhin e një qeverie të korruptuar deri në palcë”.

Pas takimit me Toni Blar, Rama i është drejtuar studiove të BBC ku ishte i ftuar në emisionin HardTalk. Rama i është përgjigjur pyetjeve të gazetares Sara Montague që lidheshin me qeverisjen e koalicionit të majtë.

Gjatë ditës së enjte, Edi Rama do të qëndrojë në Itali ku do të ketë një takim me kryeministrin e vëndit dhe Ministren e Punëve të Jashtme.

Top Channel