Në mbledhjen e radhës të Qeverisë, Kryeministri Sali Berisha iu rikthye premtimit për rritjen e pagave dhe pensioneve.

Sipas Berishës, ky vendim duhej të merrej në qershor, por është shtyrë për të mos u interpretuar si vendim i marrë për fushatë elektorale. Sipas kreut të Qeverisë, pensionet do të rriten me 4 % dhe do të përfitojnë 590 mijë qytetarë.

“Ky vendim parashikon rritjen në masën 4 për qind të pensioneve dhe do të përfitojnë një numër prej 590 mijë personash”, tha Berisha.

Por nga kjo rritje përfitojnë edhe punonjësit e shtetit, rroga e të cilëve do të rritet me 5.4 për qind.

“Paga mesatare e institucioneve buxhetore rritet me 5.4 për qind, paga për arsimtarët rritet nga 53.300 lekë në 54 828 lekë. Rritje të ndjeshmë pësojnë dhe infermierët. Rriten pagat e policisë, të Forcave të Armatosura, nuk rriten pagat e deputetëve, ministrave, zyrtarëve më të lartë të shtetit”, tha Berisha.

Kreu i Qeverisë është ndalur dhe tek akuzat e Partisë Socialiste për ligjshmërinë e vendimeve të marra nga kjo Qeveri, mandati i te ciles perfundon ne shtator.

“Kushtetuta ka qartësuar në mënyrën më të përsosur, më precize se kur mbaron mandati i një parlamenti dhe i Qeverisë së tij dhe kur fillon mandati i një maxhorance dhe qeverisë së saj. Kushtetutat e Europës dhe në tërësi të botës, nuk njohin asnjë lloj kufizimi në veprimtarinë e qeverisë nga dita e parë në ditën e fundit të mandatit të saj”, tha Berisha.

Top Channel