Ambasadori amerikan në Tiranë, Alexander Arvizu ka kritikuar qeverinë shqiptare për atë që ai e cilësoi “rënie të performancës” përsa i përket luftës ndaj trafikut të qënieve njerëzore.

“Vlerësimi ynë ishte që gjatë vitit të kaluar, performanca e qeverisë shqiptare në trajtimin e trafikimit pësoi rënie. Rezultati praktik i kësaj ishte që Shqipëria u ul në vlerësim dhe ra në atë që e quajmë Lista e Vëzhgimit e Grupit 2. Në bisedat tona me zotin Rama, zotin Meta dhe me disa prej bashkëpunëtorëve të tyre kryesorë e kemi bërë shumë të qartë se shpresojmë të angazhohemi shpejt dhe efektshëm me qeverinë e re në përpjekje për të gjallëruar disa prej përpjekjeve që kanë qenë në proces. Përsa na përket neve, Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të krijojnë partneritete me sa më shumë institucione që të jetë e mundur dhe jo vetëm me ato në fushën e trafikimit”, deklaroi Arvizu.

Ai u shpreh se, trafikimi është një krim i tmerrshëm dhe një problem shumë serioz, por ka edhe çështje të tjera, si për shembull korrupsioni, që duhet trajtuar me kujdes, përmes një bashkëpunimi akoma më aktiv mes policisë dhe prokurorisë.

“Ligjet ekzistojnë dhe janë mjaft të mira. Ka njerëz shumë të përkushtuar në radhët e policisë që e kuptojnë ligjin dhe po përpiqen të bëjnë punën e tyre. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për prokurorët. Problemi është që nuk punojnë bashkë. Në fakt, hera-herës, më krijohet përshtypja se përpiqen që të mos punojnë bashkë. Kjo do të jetë një përparësi për qeverinë e SHBA teksa ecim përpara me administratën e re këtu. Por, mesazhi më i rëndësishëm duhet të shkojë tek policia dhe prokurorët për të punuar së bashku”, theksoi Arvizu.

Këto deklarata ambasadori Arvizu i bëri gjatë një takimi që ai pati ne qytetin e Elbasanit me kryetarin e bashkise, zotin Qazim Sejdini dhe me OJQ që ushtrojnë aktivitetin e tyre në këtë qytet.

Top Channel