PS në kërkesën e saj ankimore i ka kërkuar KQZ-së anulimin e zgjedhjeve në disa qendra votimi të ZAZ-së 15, që i përkasin rrethit të Kurbimit, zonë ku ndodhën edhe përplasjet më të forta më 23 Qershor, ku u shënua edhe një humbje jete.

Në këtë kërkesë ankimore është paraqitur pretendimi se në qëndrën e votimit 907, e cila ishte vendosur në ambientet e shkollës Shpërdhet në Mamurras është zhvilluar votim fiktiv ku mund të jenë mbushur kutitë e votimit.

Ky pretendim bazohet në faktin se në këtë qendër votimi pjesëmarrja në votim ishte shumë e lartë. “Procesi i votimit nuk është realizuar i rregullt duke prodhuar kështu një rezultat anormal” thuhet në kërkesën ankimore të PS. Le t’i referohemi fakteve duke filluar nga dokumentat që janë prodhuar në përfundim të numërimit, vijon kërkesa.

Nga tabela e GNV rezulton se ka një pjesëmarrje prej 90,4 %, thënë më thjesht kanë votuar 560 votues nga 617 në listën e zgjedhësve ku rezultati përfundimtar ishte 72% për koalicionin e djathtë dhe 28 % për atë të majtë.

Për të kuptuar më mirë trendin e rritur të pjesëmarrjes në zgjedhjet e 23 Qershorit, po i referohemi votimeve të shkuara pikërisht në këtë qendër votimi ku rezulton se në zgjedhjet e 2007-së pjesëmarrja ishte 57.2 %, në 2009-ën 55.12 %, në 2011-ën 58%.

Shifrat tregojnë se në 23 Qershor vetëm në këtë qendër votimi numri votuesve ishte mbi 40% krahasuar me 2007-ën, 2009-ën dhe 2011-ën.

Të tilla shifra sugjerojnë se jemi përballë një situate të ngjashme me të shkuarën jo të largët të zgjedhjeve në Shqipëri si në Rruzhdie apo Dajç, përfshirë raste të tjera që tashmë janë arkivuar si turpi zgjedhjeve shqiptare.

Nga burime brenda Ministrisë së Brendshme, Top Channel ka mundur të sigurojë të dhëna reale në lidhje me këtë qendër votimi duke u nisur nga emrat në listën e zgjedhësve dhe krahasuar ato me të dhënat e sistemit TIMS për të vërtetuar nëse këta zgjedhës më 23 qershor kanë qenë në Shqipëri.

Të dhënat e mbledhura nga sistemi TIMS tregojnë se 156 zgjedhës të kësaj qendre votimi më 23 Qershor nuk kanë qënë në territorin e Shqipërisë dhe s’mund të kenë votuar.

Por duke iu referuar të dhënave, nga 156 personat në listë, që figurojnë jashtë Shqipërisë, vetëm 57 zgjedhës nuk kanë votuar, ndërsa kanë votuar pa qenë në Shqipëri 99 zgjedhës.

Ekspertët zgjedhorë,  të cilët kanë parë përfundimin e këtij investigimi thonë se kjo përbën një shkak serioz për anulimin e votimit në këtë Qendër Votimi.

Koalicioni i djathtë, sipas vendimit të fundit të KQZ-së, e ka marrë mandatin e fundit  në këtë qark me një diferencë plus 39 vota.

Top Channel