Olldashi, fushatë në Tiranë; Basha në Shkodër

16/07/2013 00:00

Gjatë një takimi me strukturat e Grup-Seksionit të PD-së në Kombinat,
Sokol Olldashi kërkoi që kryetarët e degeve në rrethe të jenë pjesë e
Kryesisë së Partisë Demokratike të Shqipërisë. Kjo strukturë e
vendimmarrjes, sipas Olldashi duhet të zgjerohet për të kthyer
përfaqësimin politik tek baza e partisë.

“Kjo do të thotë që ne kemi nevojë të zgjerojmë kryesinë e përgjithshme të Partisë Demokratike të Shqipërisë. Të kemi 36 kryetarë të degëve qendër rrethi, ‘ex officio’, anëtarë të Kryesisë dhe shtuar këtyre një korpus anëtarësh, të cilët do të bëjnë kryesinë në tërësi. Nga ana tjetër kemi nevojë të ndërtojmë një korpus këshillimor apo një hallkë të ndërmjetme, jo vendimmarrëse, por këshilluese për Kryetarin dhe për Kryesinë. Pra një grup, i cili ka të gjithë eksperiencën e ndërtuar nga PD në 23 vjet dhe që e vë në funksion të drejtimit politik të partisë”, tha Olldashi.

Nga Shkodra, kandidati për kryetar i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kujtuar kryesocialistit Edi Rama, se kush të ka mundur njëherë, të mund sërish. Duke prezantuar platformën e tij për drejtimin e PD, zoti Basha u ka kërkuar besimin demokratëve të Shkodrës, për ta nxjerrë sërish si në 2011 në opozitë Edi Ramën.

“Rama na njeh mirë, nëse na ka harruar, do ia kujtojmë. Kush të ka mundur një herë, di dhe do të mundë përsëri. Sot, ndodhem para jush, në këtë moment të veçantë, i përulur para kontributit tuaj historik, për t’ju drejtuar në përballjen tjetër me kryesocialistin, përballje që do ta fitojmë, për ta nxjerrë edhe njëherë në opozitë dhe për të rikthyer në pushtet Partinë Demokratike të Shqipërisë”, tha Basha.

Duke sjellë në vëmendje se si mazhoranca e re, çdo ditë po tregon se premtimet e saj ishin vetëm mashtrime, zoti Basha u ka kërkuar demokratëve, që të bashkuar të ndërtojnë platformën e tyre, për të marrë së shpejti në dorë qeverisjen e vendit.

Top Channel