Në ndryshim nga kërkesat ankimore të deritanishme, të rrëzuara brenda një seance mbledhjeje në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, vendimi për ankimimin e Partisë Republikane për Qarkun e Shkodrës është shtyrë për të mërkuren.

Republikanët kanë ankimuar në institucionin më të lartë të zgjedhjeve, tabelat e rezultateve në disa qendra votimi në këtë qark.

Republikanet pretendojnë se përmes ndërhyrjeve në to, i është marrë mandati i deputetit nga aleatja e saj, Partia Demokratike.

PR kërkon rinumërim në 13 qendra votimi të Shkodres, të cilat janë numëruar gjatë kohës që në to nuk ka pasur energji elektrike dhe ku rezulton se PR nuk ka marrë vota, në ndryshim nga qendra të tjera të ketij qarku.

Diferenca që ka bërë ndarjen e mandatit mes PR dhe PD dhe që aktualisht e mban kjo e fundit, është vetëm 29 vota.

KQZ, ku PR ka të propozuarin e saj aty, zotin Klement Zguri, kërkoi  kohë për të verifikuar provat e paraqitura nga avokati Eno Bushi, përpara se të japë vendimin.

Ky është rasti i parë ankimor që KQZ i lë vetes kohe për t’u pergjigjur, ndërsa një ditë më parë rrëzoi kërkesen ankimore të LSI për Qarkun e Kukësit, ku mandati i katërt atje është ndare po me një diference tejet të ngushtë votash mes dy koalicioneve.

KQZ rrëzoi kërkesen e kandidatit të pavarur në Fier, Dritan Prifti, që i kërkonte rinumërim të votave në të gjithë qarkun.

Së bashku me përgjigjen për Shkodren, Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve do të shqyrtojë të merkuren, një tjeter qark ku është në diskutim një mandat, Qarku i Lezhës.

Përveç Partisë Socialiste, ankimim për këtë qark ka paraqitur edhe Partia Demokratike.

Top Channel