“Shqip”, turizmi i jugut

15/07/2013 00:00

Një ndër destinacionet kryesore të turizmit në Shqipëri është bregdeti dhe padyshim bregdeti i Jonit është më i lakmuari. Por sa u plotëson kërkesat e turistëve ky bregdet, nisur që nga cilësia e bregdetit, shërbimet e deri tek politikat të strukturave qeverisëse vendore dhe qendrore?

Për këto dhe të tjera çështje kësaj jave “Shqip” me Rudina Xhungën u zhvendos në Sarandë me të ftuar kryetarët e bashkive të bregdetit të jugut, ai i Sarandës, Stefan Çipa, ai i Bashkisë Himarë, Gjergji Goro, Dhimitër Kote, kryetar i Komunës Xarrë, kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe dhe deputeti i PS-së, Auron Tare.

Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa u ndal tek disa nga problematikat që pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të turizmit. Ai tha se me heqjen e moratoriumit të skafeve, tashmë duhet të fuqizohet biznesi i marinave që është shumë fitimprurës në këtë sektor.

Ndërsa Auron Tare tha se Shqipëria është i vetmi vend mesdhetar që nuk ka të zhvilluar industrinë e turizmit për anijet dhe jahtet. Ai renditi disa faktorë që kanë penguar këtë sektor që tërheq turizmin elitar.

“Ka një problem të madh me Shqipërinë. Ne jemi i vetmi vend që ka bregdet dhe nuk ka të zhvilluar industrinë e turizmit për anijet dhe jahtet. Taksa e naftës dëmton turizmin, edhe peshkarexhat tona furnizohen në Korfuz ose Mal të Zi. Është një taksë absurde”, tha Tare.

Tjetër problem, sipas tij, janë burokracitë për ankorimin e anijeve dhe kultura e mentaliteti i shërbimit. Turizmi është shërbim, tha ai.

“S’kemi një infrastrukturë shërbimi për turizmin. Duhet të ndryshojmë mentalitetin për shërbimin. Bregdetit i mungon një politikë e caktuar për shërbimin. Shërbimi është kryesor, ky është themeli i fortë i turizmit”, deklaroi Tare.

Ndërsa kryetari i Bashkisë së Përmetit, Gilberto Jaçe u ndal tek prioritetet e vendit. Ai tha se duhet një politikë e qartë sa i përket turizmit dhe jo herë i jepet prioritet energjitikës dhe herë turizmit. Kryebashkiaku i Përmetit solli si shembull koncesionet për ngritjen e dy hidrocentraleve që po shkatërrojnë kanionet e Përmetit, një nga aksesorët kryesorë të turizmit për këtë qytet.

Në pjesën e tretë, biseda u ndal tek përparësitë dhe se cfarë duhet të bëhet për t’u qenë sa më afër turistëve, sidomos atyre të huaj. Kryebashkiaku i Sarandës, Stefan Çipa foli për më shumë fushatë sensibilizuese dhe përpjekjet për të mbajtur një mjedis sa më të pastër.

Top Channel