Gara për kreun e ri të PD-së

15/07/2013 00:00

Një javë përpara se demokratët të shkojnë drejt kutive të votimit, për të zgjedhur mes dy kandidaturave, Sokol Olldashi ka nxjerrë në pah një strategji të re për të mbledhur votat e demokratëve.

Në takimet me anëtarësinë në Krujë, Fushë Krujë dhe në Vorë, zoti Olldashi ka vënë në dukje, ato që i quajti avantazhe të tij në garën për kreun e PD, të cilat ishin 4 pika, ku Sokol Olldashi la të kuptohet se i mungojnë tërësisht rivalit të tij Lulzim Basha, edhe sepse ai është kryetar i Bashkisë së Tiranës.

“Besoj se në këtë garë kam avantazhe: së pari e njoh këtë strukturë më mirë, sepse kam një kohë më të gjatë, dhe e kam njohur në kohë dhe nivele të ndryshme. E kam njohur, pra, gradualisht dhe jo menjëherë në drejtim. Së dyti, kam avantazh eksperiencën opozitare, unë e di çfarë është Partia Demokratike në opozitë, sepse kam qenë pjesë e saj në opozitë, sepse unë e di se çfarë është opozita, është një gjë krejt tjetër nga partia në pushtet, është një betejë krejt e ndryshme, që kërkon patjetër një ekspertizë dhe një eksperiencë. Së treti, avantazh është fakti, që jam në Parlament dhe beteja mes mazhorancës dhe opozitës zhvillohet në Parlament. Dhe e katërta, që e kam të gjithë kohën në dispozicion për t’ia përkushtuar betejës politike, që duhet të bëjë Partia Demokratike”, tha Olldashi.

Ndërkaq, kandidati tjetër Lulzim Basha është ndalur në Leskovik, Përmet dhe Paskuqan, ku ka prezantuar platformën e tij për drejtimin e partisë. Zoti Basha e ka konsideruar si një nga arsyet e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit, mungesën e vëmendjes dhe mirënjohjes ndaj anëtarësisë së PD si dhe garantoi se si kryetar i PD, do të mbajë një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD-së.

“Një gjë mund t’ua them sot, jo si konkluzion por si mendimin tim personal, si zërin tim individual, si anëtar i PD, se një ndër arsyet e humbjes ka qenë mungesa e vëmendjes dhe mungesa e mirënjohjes ndaj anëtarëve dhe militantëve të PD, ndaj dhe pika e parë e asaj që duhet të bëjmë si parti politike është të korrigjojmë këtë gabim dhe ta nisim duke bërë të mundur, që në bazë të kontributit të çdo anëtari nga dita e parë e themelimit të partisë e deri më sot të vlerësohen edhe meritat, sot në opozitë dhe nesër në pushtet. Personalisht angazhohem, nëse më besohet kjo detyrë e lartë, që të mbaj një kontakt të drejtpërdrejtë, pa ndërmjetës, me çdo anëtar e militant të PD,” tha Basha.

Sipas Bashës, mazhoranca e re ka nisur që sot të zmbrapset nga premtimet e saj, me pretendimin se projekti i saj është për 8 vjet dhe jo për katër. Sipas Bashës Partia Demokratike duhet të jetë gati të rikthehet si mazhoranca e shpresës, për ëndrrat dhe aspiratat shqiptarëve”. Po ashtu, Basha ka theksuar se Partia Demokratike do të jetë në qendër të një opozite të gjerë, përballë rilindjes se mashtrimit.

Olldashi: Do ta rrëzojmë Ramën

Ndalesat e radhës së kandidatit për
kryetar të Partisë Demokratike, Sokol Olldashi kanë qenë Librazhdi,
Rrogozhina dhe Kavaja.

Gjatë këtyre takimeve Sokol Olldashi
tërhoqi vemendjen se demokratët nuk mund të presin që kundërshtari i
tyre të bjerë vetë, por duhet ta rrëzojnë atë në përballjen e parë
elektorale.

“Ne nuk mund të presim që ata të bien vetë nga pushteti. Ne nuk mund të
presim të humbasë Edi Rama. Jo, ne nuk do të presim. Ne do ta rrëzojmë
Edi Ramën. Por që të rrëzojmë Edi Ramën duhet domosdoshmërit të bëjmë
disa ndërhyrje: Duhet një betejë e tmerrshme opozitare në Parlament, por
me një strukturë të balancuar, të vënë edhe nën përgjegjësi, edhe mbi
stimul dhe të inventarizuar me kontributet e gjithësecilit, në mënyrë që
Partia të jetë e drejtë me gjithësecilin. Këto ndërhyrje e bëjnë
Partinë Demokratike dinamike, e bëjnë dominante në terren, e bëjnë
absolutisht një makineri që nuk ka asgjë që ta ndalë. Dhe nëqoftëse
mekanizimi do të funksionojë dhe ne, që në ditën e pare do të bëjmë një
betejë të jashtëzakonshme opozitare në Parlament, unë jam i bindur që ne
rikthehemi  fitues në përballjen e parë elektorale që kemi me
kundërshtarin tonë, në zgjedhjet lokale të vitit 2015,” tha Olldashi.

Në bisedë me strukturat e Partisë Demokratike në Librazhd, Rrogozhinë
dhe Kavajë, Sokol Olldashi foli për paketën e ristrukturimit të
institucioneve të PD-së dhe për aksionin opozitar.

Top Channel