Gara për kreun e ri të PD

12/07/2013 00:00

Kandidati për kryetar të PD, Lulzim Basha takoi demokratët në Tropojë, Has, Rrëshen dhe në njësinë bashkiake numër 2 në Tiranë, duke u dhënë atyre garancinë se nën drejtimin e tij Partia Demokratike do të jetë e gatshme të mbrojë çdo punonjës të administratës që, sipas tij, do të preket nga mentaliteti antishtet i Edi Ramës.

“Partia Demokratike do të të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, t’i kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë t’i kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve”, deklaroi Basha.

Duke deklaruar hapur mosbesimin se mazhoranca e re do të mbajë premtimet e fushatës elektorale, zoti Basha garantoi demokratët për aksion të gjerë opozitar, që do të tërheqë pranë Partisë Demokratike ata që ai i quan “të mashtruar nga rilindja”.

“PD do të garantojë që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek “rilindja” e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për t’i kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj mazhorance. Ne duhet të jemi gati sot, t’u paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane”, tha Basha.

Ashtu si zoti Basha, edhe zoti Olldashi kanë në platformën e tyre angazhimin e çdo anëtari të partisë në çdo vendimmarrje të rëndësishme të saj.

Olldashi: Rama ka prodhuar korrupsion dhe klientelizëm

Gjatë takimeve në qarkun e Dibrës, në Peshkopi, Maqellarë, Burrel, Bulqizë dhe në Klos, Sokol Olldashi vuri në dukje se gjatë ushtrimit të pushtetit 8-vjeçar, PD i zbehu lidhjet me militantët. Zoti Olldashi tha se platforma e tij për drejtimin dhe ringritjen e Partisë Demokratike ka në thelb kthimin e vëmendjes tek aktivistët.

“Instanca më e rëndësishme në Partinë Demokratike, nëse ne duhet të rikthehemi shpejt në shumicë, duhet të jetë anëtari i thjeshtë i partisë, militanti, të cilit nuk i dimë emrin. Nëqoftëse ne nuk institucionalizojmë anëtarin e partisë si hallkën më të rëndësishme tonën, atëherë do të kemi probleme serioze”, deklaroi Olldashi.

Ndërsa ga qyteti i Mamurrasit, Olldashi sulmoi Ramën, duke thënë se ai nuk do t’i mbajë premtimet për shëndetin falas dhe taksën progresive.

“Dëgjova dje kryetarin e PS-së dhe enturazhin e tij të thotë që nuk mund ta bëjë shëndetësinë falas siç premtoi, as taksën progresive siç e premtoi. Pra, pa marrë akoma zyrën e kryeministrit, ky njeri filloi të gënjejë dhe ne i paralajmëruam qytetarët shqiptarë në fushatë se janë mashtrime. Ende pa marrë mandatin e kryeministrit, ai filloi t’i rrëzojë një e nga një premtimet e tij elektorale dhe kështu do të bëjë me të gjitha mashtrimet që ndërtoi gjatë këtyre javëve në të cilat takoi shqiptarët, jo për t’u dhënë zgjidhje, por për t’i gënjyer. Pikërisht këtu fillon rrëzimi i tij dhe ne duhet të pregatitemi me të gjithë forcën që të rrëzojmë një e nga një të gjithë platformën e tij, të shembim një e nga një të gjitha tullat e gënjeshtërta që ai u serviri shqiptarëve”, deklaroi Olldashi. 

Top Channel