Në shenjë kundërshtimi të projektligjit për amnistinë, i cili pritet që të shkojë sërish në Kuvend gjatë javës, një grup qytetarësh që nga dita e shtunë janë duke qëndruar para hyrjes së Kuvendit të Kosovës.

Ata e kundërshtojnë këtë projektligj duke e vlerësuar si shumë të dëmshëm për vendin dhe qytetarët e Kosovës.

Fisnik Ismajli ka bërë të ditur se do të qëndrojnë edhe gjatë natës deri në ditën kur projektligji pritet të hidhet sërish në votim për miratim.

Ndërkaq, përfaqësues të shoqërisë civile, që kundërshtojnë këtë projektligj, kanë kritikuar sërish qeverinë e Kosovës si sponsorizuese e projektligjit dhe se ndryshimet e bëra i kanë konsideruar si “kozmetikë”.

Të enjten ky projektligj nuk kaloi në Kuvend pasi nuk mori 80 vota që nevojiteshin, ndërsa qeveria e Kosovës një ditë më pas e riproçedoi atë duke hequr njërin nga nenet që është kundërshtuar më së shumti.

Sipas zyrtarëve qeveritarë, përveç heqjes së nenit 3, projektligji i ndryshuar do të theksojë se nuk do të ketë amnisti për veprat penale me lëndime trupore apo vrasje.

Top Channel