Ekstradimi i Frrokut, në dorë të ministrit

08/07/2013 00:00

Ministri grek i Drejtësisë do të vendosë brenda pak ditësh ekstradimin
ose jo në Shqipëri të Arben Frrokut, i dyshuari kryesor për vrasjen e
kryekomisar Dritan Lamajt, pasditen e 24 shkurtit në Tiranë.

Burime nga prokuroria shqiptare thanë se, në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, kanë përpiluar të gjithë dokumentacionin përkatës për Frrokun dhe ua kanë dorëzuar autoriteteve greke. Këto të fundit kanë një afat kohor për të verifikuar kërkesën shqiptare. “Ministri grek i drejtësisë ka në dorë ‘fatin’ e Arben Frrokut. Kemi marrë informacione nga drejtësia helene dhe na kanë thënë se shkresa ka shkuar te ministri, i cili duhet të vendosë këto ditë”, pohojnë burimet nga Prokuroria e Përgjithshme. Këta të fundit pohojnë se kanë prova kundër Frrokut për vrasjen e kryekomisarit, ndërsa pala mbrojtëse pretendon se ai është i pafajshëm.

Një muaj më parë, Gjykata e Lartë greke ka hedhur poshtë pretendimet e avokatit dhe të dyshuarit Frroku, që pretendojnë se në Shqipëri akuzat ndaj tyre janë politike. Në seancat e zhvilluara, avokati kërkoi moslejimin e ekstradimit të dyshuarit Frroku për në Shqipëri, duke pretenduar se akuzat kanë prapaskenë politike. Vetë i dyshuari Frroku kërkoi nga drejtësia greke të lirohet nga qelia me pretendimin se do të paraqitet vullnetarisht para drejtësisë shqiptare. Gjykata e Lartë, në vendimin e saj, pranoi edhe ekstradimin e Jak Jakut, dajës së Frrokut, mbi të cilin në Shqipëri rëndon akuza e “armëmbajtjes pa leje” dhe “prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim”.

Sipas dosjes që ka shkuar në Greqi, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka regjistruar procedimin penal nr. 40 më datë 24.02.2013, për veprën penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”. Ka rezultuar se në datën 24.02.2013, rreth orës 18:30, në rrugën “Ibrahim Dervishi”, blloku i banesave “Vasil Shanto”, është qëlluar me armë automatike, brenda në mjetin e tij, tip “Lança” me targë TR 2564 N, shtetasi Dritan Lamaj.

Nga hetimet ka rezultuar se viktima është ndjekur nga autorët me një mjet tip BMW, ngjyrë gri, me targë DR 1944 F dhe në momentin që po parkonte është qëlluar brenda mjetit. Viktima ka marrë 12 plagë arme zjarri me drejtim qitje nga prapa-para, goditje të cilat i kanë shkaktuar vdekjen. Lamaj ka ushtruar disa funksione në Policinë e Shtetit, ku ka qenë edhe në detyrën e shefit të Komisariatit të Policisë Nr. 6, Tiranë. Ka dyshime të bazuara se vrasja me dashje është kryer për shkak të funksionit të shtetasit Dritan Lamaj si punonjës policie. Ka rezultuar nga hetimet se viktima ka pasur një konflikt serioz me shtetasin nën hetim Arben Frroku. Sipas akuzës, dyshohet se Frroku është autor i vrasjes së Dritan Lamajt, në bashkëpunim me dy persona të tjerë ende të paidentifikuar plotësisht.

Top Channel