Kuvendi i Kosovës pritet ta votojë të entjen projektligjin për amnisti në formën siç është dërguar nga qeveria, duke amnistuar kështu autorët e krimeve të ndryshme në veri të Kosovës.

Anëtari i komisionit për legjislacion nga radhët e PDK-së, Arsim Bajrami tha se me këtë projektligj shkurtohet dhjetë vjet punë e prokurorëve.

Vendimi për të kaluar në seancë për shqyrtim u mor në mbledhjen e komisionit parlamentar për legjislacion këtë të hënë. Pas heqjes së nenit 3, projektligji nuk pritet të pësojë ndryshime të tjera.

Kryetari i komisionit për legjislacion Arben Gashi tha se ligji parasheh lirimin nga ndjekja penale apo vuajtja e dënimit kryesit e atyre veprave të cilat janë: rezistencë, krim kundër rendit kushtetues dhe huliganizmi.

“Që ne shpallim amnisti për persona që kanë marrrë pjesë në institucione paralele por që s’kanë kryer krime si lëndime të rënda trupore e vrasje”, deklaroi Gashi.

“Ne po të kishim mundësi ta kishim situatën nën kontroll do kishim 10 vjet punë atje, por është arritur një marrëveshje ndërkombëtare për zgjidhjen e kësaj situate”, tha nga ana tjetër Arsim Bajrami, anëtar i komisionit.

Lëvizja Vetëvendosje ishte sërish kundër projektligjit. “Sovraniteti i Kosovës po dorëzohet. Strukturat kriminale serbe nga miratimi i këtij projektimi do jenë struktura me sovranitet të plotë mbi sistemin e drejtësisë në Kosovë”, deklaroi deputetja Albulena Haxhiu.

Ndërkohë, nuk mungoi skepticizmi edhe në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Deputeti Armend Zemaj, i cili javën e shkuar votoi kundër projektligjit, këtë herë në komision abstenoi. Ai kërkoi që ligji të sqarojë se nuk do të ketë amnisi për “kriminelet anekënd Kosovës”.

“Edhe kriminelët ordinerë në burgun e Dubravës kanë filluar të bëjnë deklarata, sepse kanë dëgjuar se dikush do t’i amnistojë. Nene të tilla të këtij projektligji kanë qenë neni 3, por edhe neni 5 dhe unë mendoj se kjo duhet të rishikohet”, theksoi Zemaj.

Nga ana tjetër, shoqëria civile nuk heq dorë nga kundërshtimi i projektligjit. Instituti kosovar për kërkime dhe zhvillime të politikave, KIPRED ka filluar me nënshkrimin e peticionit për ndryshimin e projektligjit për amnisti në një orë simbolike, dymbëdhjetë pa pesë, që do të thotë sa nuk është vonë.

Top Channel