Shoqërohen dy policë, dyshohen për ngacmim

06/07/2013 00:00

Ngacmimet e femrave dhe veprimet e turpshme në rrugë duket se nuk
ndodhin vetëm nga maniakët seksualë, por edhe nga punonjës të shtetit,
të cilët janë betuar për ta luftuar këtë fenomen.

Të paktën këto janë dyshimet e para për dy oficerë policie, të cilët janë me funksione në nivelin më të lartë të kësaj organizate, pikërisht në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Akti i rëndë ka ndodhur dje pasdite, duke tronditur policinë, ndërkohë që dy të dyshuarit, të cilët nuk e kanë pranuar një akuzë të tillë, janë shoqëruar nga kolegët e tyre të repartit “Shqiponja” të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Ndërhyrja e policisë për këto veprime të dyshuara ka ardhur pikërisht pas sinjalizimit të dhënë në sallën operative nga të dëmtuarat, ndërkohë që për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes ka ndërhyrë edhe Drejtoria e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Ministrinë e Brendshme.

Ngacmimi

Burimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës bëjnë me dije se oficerët Pjerin Voci dhe Julian Malaj, efektivë të operacioneve speciale, kanë bërë gjeste të pahijshme në publik, duke shqetësuar femrat që ecnin në rrugë. Sipas të dhënave të besueshme nga uniformat blu, ngjarja ka ndodhur në zonën e njohur si “Nëntëkatëshet”, që ndodhet në qendër të kryeqytetit. Nga të njëjtat burime mësohet se ka dyshime se Voci dhe Malaj u kanë folur disa femrave në rrugë, duke u hedhur fjalë të pahijshme. Në këto kushte, dy femra kanë telefonuar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, por nga të dhënat mësohet se ka pasur edhe disa telefonata të tjera. Vajzat kanë dhënë informacion se dy persona civilë, me moshë mesatare, kanë hedhur fjalë “joshëse”, por veprimi i tyre nuk është pritur mirë, duke iu kundërpërgjigjur me ofendime. Ndërkohë, efektivët, të paktën sipas informacioneve në polici, dyshohet se janë shprehur me të njëjtën gjuhë, duke krijuar një skenë aspak të hijshme. Në një situatë të tillë, femrat, të cilat kanë telefonuar në sallën operative, i janë drejtuar edhe një patrulle policie, e cila ndodhej afër zonës. Ato kanë treguar me detaje incidentin duke dhënë përshkrimet përkatëse në lidhje me personat që i ngacmuan.

Policia

Pas kësaj, patrulla “Shqiponja”, ka shkuar pranë Malajt dhe Vocit, për t’i shoqëruar, por janë ndeshur në refuzimin e tyre. Efektivët kanë thënë se janë kolegë dhe nuk kanë arsye që të shoqërohen. Mes palëve mësohet se ka pasur edhe një debat, por pavarësisht kësaj, Malaj dhe Voci janë dërguar në rajon, për t’u marrë në pyetje në lidhje me pretendimet e femrave që janë ankuar në polici. Menjëherë pas këtij veprimi, në lëvizje është vënë edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për të nisur hetimet për incidentet e krijuara mes efektivëve të “Shqiponjave” dhe oficerëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ndërkaq, pjesë e hetimeve mbetet edhe ngacmimi i femrave në rrugë nga dy personat në fjalë. Pavarësisht se ata nuk kanë qenë të veshur me uniformën e policisë, kanë pasur me vete armët personale. Nga të dhënat paraprake dyshohet se ata kanë shkelur Kodin e Etikës së Policisë, ndërkohë që pritet nëse vajzat do të bëjnë kallëzim për të nisur hetim penal ndaj tyre. Ato pritet të sqarojnë me detaje incidentin e ndodhur pasditen e së premtes në Rrugën e Dibrës. Nga ana tjetër, mësohet se ende nuk është marrë ndonjë masë ndaj Vocit dhe Malajt, por pritet që ata të pezullohen nga puna deri në zbardhjen e të vërtetës.

Oficerët

Gazeta “Shqip” ka kontaktuar në linjë telefonike me një nga oficerët e dyshuar të këtij incidenti të pahijshëm për uniformën e policisë, por ai e ka mohuar një ngjarje të tillë. “Shqip” kontaktoi me Julian Malajn, duke kërkuar informacion mbi këtë incident, i cili ka folur edhe në emër të kolegut tjetër. “Ju lutem përgënjeshtroni lajmin, pasi unë dhe kolegu im jemi shoqëruar në polici në mënyrë të kundërligjshme nga punonjës policie të papërgjegjshëm. Veprimet e patrullës ishin arbitrare dhe tendencioze, për arsye që nuk i dimë. Kam qenë duke udhëtuar me makinë, bashkë me kolegun tim dhe na ka ndaluar patrulla e policisë. Pa asnjë lloj motivi na kanë thënë se duhet të shkonim me ta. Kemi nxjerrë dokumentet e policisë dhe pavarësisht kësaj, ata na shoqëruan dhe nuk na dhanë asnjë lloj motivi. Nuk është e vërtetë që ne kemi ngacmuar femra”, është shprehur ai në reagimin e tij, ndërkohë që sot pritet të jepen detaje të reja në lidhje me këtë incident.

Top Channel