HEC-et që shkatërrojnë turizmin

06/07/2013 00:00

Mbledhja e KRRTRSH-së, nën drejtimin e kryeministrit, miratoi në mënyrë të paligjshme ndërtimin e 2 hidrocentraleve mbi lumin Lengaricë nga firma “Lengarica & Energy SH.P.K”, në komunën Petran të Pëmetit, duke shkelur kështu ligjin “Për shpalljen e zonave të mbrojtura të monumenteve të natyrës” të vitit 2002.

Projektet e këtyre dy HEC-eve parashikojnë ndërtime pikërisht në të gjithë gjatësinë e kanionit të Lengaricës, duke ngritur diga e tunele të cilat përshkojnë këtë zonë ku ka 2 monumente të mbrojtura të natyrës, si Banjat e Benjës dhe Kanioni i Lengaricës, por njëkohësisht kjo zonë është shpallur në tërësi Park Kombëtar në Fondin Pyjor të Shqipërisë.

Komuna Petran, ku shtrihen këto monumente, s’ka asnjë dijeni për këto projekte dhe s’ka miratuar asnjë projekt në këtë zonë. Madje, ato i kanë kundërshtuar në unison të majtë e të djathtë në Këshillin e Komunës, shprehet anëtari i Kristaq Kukureci.

“Ne kemi patur presione të mëdha nga deputeti i qarkut, Genc Ruli dhe deri në kryë të qeverisë për të miratuar këto projekte. Por ne s’e kemi bërë këtë gjë pasi aty do të demtohej shumë turizmi dhe ekonomia e banorëve të zonës”, deklaron ai.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Përmetit, Gilbeto Jace kërkon sensibilizimin e të gjithë faktorëve për pezullimin e këtyre HEC-eve, pasi për të fituar sa më shumë disa persona shkatërrohet e ardhmja e kësaj zone, e cila po ecën drejt strukturimit të turizmit. Këto HEC-e janë kundërshtuar dhe nga vetë Këshilli i Komunës, shprehet zoti Jace.

Top Channel