Vrasja e Laçit tek Krimet e Rënda

02/07/2013 15:20

Prokuroria e Kurbinit ka shpallur moskopetencën për hetimin e mëtejshëm të vrasjes gjatë ditës së zgjedhjeve të një simpatizanti të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim dhe plagosjen e kandidatëve për deputete të Partisë Demokratike, duke ja lënë në dorë dosjen Prokurorise së Krimeve të rënda në kryeqytet.

Sipas një burimi të besueshem të “Top-Channel”, çështja aktualisht ndodhet nën hetim nga Krimet e Rënda jo për shkak të cilësimit të veprës që do të thote se viktima Gjon Gjoni nuk ka cilësitë e veçanta ashtu sikundër edhe të plagosurit, Mhill Fufi, garues si kandidat i Partise Demokratike dhe kushëriri i tij, Kastriot Fufi.

Moskompetenca është shpallur për shkak të vështirësive që paraqet Laçi si qytet, për ta hetuar këtë dosje prokuroria e këtij rrethi.

Bazuar në këto arsye, prokuroria e ketij rrethi është tërhequr nga hetimet, duke e konsideruar si të vështirë hetimin e kësaj ngjarjeje në këtë zonë të nxehtë, duke ia përcjelle Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

Më 23 qershor, në kohën që brenda shkollës “at Shtjefën Gjeçovi” po votohej, nga shkëmbimi i zjarrit mes dy palëve, u vra Gjon Gjoni dhe u plagos Mhill Fufi dhe Kastriot Fufi.

Drejtori i Policise së Qarkut Lezhë deklaroi se vrasja ndodhi për shkaqe zgjedhore, në një kohë që ekspertet e policisë së shtetit të derguar në vendngjarje thanë për “Top-Channel” se u sekuestruan 15 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, në një kohë që gjatë asaj dite e në vijim u shpall në kërkim policor për efekt hetimi Kastriot Fufi dhe kunati i viktimës, Enver Curri. Deri tani nuk është arrestuar asnjë prej autorëve.

Top Channel