Çeku-Imami, nënshkruajnë “SOFA”-n

01/07/2013 23:35

Kosova dhe Shqipëria nënshkruajnë “Marrëveshjen e Sigurisë për Statusin e Forcave”, e njohur edhe si SOFA.

Kjo marrëveshje do të rregullojë hyrjen e personelit ushtarak, qëndrimin e përkohshëm, daljen, detyrimet e përgjegjësitë e vendit pritës e atij vizitues dhe përkufizon statusin ligjor për të dyja vendet.

Marrëveshja u nënshkrua nga ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Agim Çeku, dhe ministri i Mbrojtjes i qeverisë shqiptare, Arben Imami.

Ministri kosovar tha se marrëveshja SOFA është kulmi i bashkëpunimit mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, ministri i Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Imami, tha se bashkëpunimi i frytshëm, që ekziston ndërmjet të dy ministrive dhe Forcave, do të vazhdojë edhe më tutje dhe se kjo po fuqizohet edhe me nënshkrimin e “Marrëveshjes Suplementare SOFA”. Kjo është edhe më e fuqishme, sepse po shkojmë drejt rrugës së integrimit në NATO.

Ministri Imami theksoi se kjo është vizita e fundit zyrtare e tij, në këtë mandat, që po i bëhet Kosovës dhe FSK-së, dhe se ndihet i lumtur që, pikërisht me FSK-në po e përfundon axhendën e tij si ministër, sa i përket angazhimeve zyrtare në Kosovë.

Ministri Çeku, me këtë rast, në emër të ministrisë për FSK dhe në emër të FSK-së, i dorëzoi ministrit Arben Imami medaljen për “Shërbim të Merituar”, në shenjë respekti për punën, kontributin dhe ndihmën e pakursyer në mbështetje të FSK-së.

Top Channel