Kurum, granata vret punëtorin

29/06/2013 00:00

Shpërthimi i një granate në një grumbull skrapi brenda ambienteve të kompanisë “Kurum” në Elbasan i mori jetën një 35-vjecari.

Ngjarja e rëndë ndodhi në linjën e përpunimit të skrapi dhe viktima është 35-vjecari Gjergji Boduri, punonjës pranë kësaj kompanie.

Boduri, me detyrë manovrator ka qenë duke marrë materiale hekuri me mjetin vinç kur ky i fundit ka shkaktuar shpërthimin e granatës.

35-vjecari gjeti vdekjen e menjëhershme si pasojë e plagëve të marra, ndërkohë që është dashur prania e familjarëve për të bërë identifikimin e trupit në morgun e Elbasanit.

Grupi hetimor i cili ka mbërritur në vendngjarje po punon për zbardhjen e plotë të shkaqeve të shpërthimit që i mori jetën 35-vjecarit, punonjës i “Kurum”.

Edhe pse ky vend është përcaktuar jo vetëm si fusha e grumbullimit të skrapit, pranë kompanisë “Kurum”, por edhe vendi për kontrollin e imtësishëm të tij, nuk kanë qenë të rralla incidentet që kanë ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit të materialeve metalike.

Policia ndërkohë po heton për praninë e materialeve të tjera shpërthyese në vendgrumbullimin e skrapit, si dhe nëse punëtori ishte i siguruar.

Ndërsa po kryeshin hetimet rojet e kompanisë turke kanë penguar mediat të ndjekin nga afër këtë ngjarje të rëndë. Drejt “Kurum” janë dërguar edhe materialet e skrapit që mesa duket kanë dalë nga depot ushtarake në shkatërrim e sipër.

Predha apo granata që ka shpërthyer duke vrarë një person do kishte shkaktuar dëme dhe më shumë viktima nëse do hidhej në furrat e shkrirjes së Metalurgjikut.

Policia e Elbasanit ka marrë në pyetje personat që janë gjendur në vendngjarje në momentin e shpërthimit, por deri tani nuk është shoqëruar asnjë person përgjegjës për këtë ngjarje.

Top Channel