Topi hap rrugën e bashkëpunimit

20/06/2013 00:00

Gjatë një takimi me banorë të Postribës, Bamir Topi tha se Fryma e Re
Demokratike do të bashkëpunojë me çdo parti, nëse zbatohen parimet bazë
të programit politik të forcës që ai drejton.

“Ne do të futemi në Parlament dhe në çdo lloj bashkëpunimi me forcat politike, vetëm nëse zbatohen parimet bazë të programit tonë që kanë lidhje me këtë kontratë elektorale që ne po lidhim me gjithë popullin shqiptar”, tha Topi.

Kreu i FRD-së e quajti të papranueshëm faktin se ende në vitin 2013 Qeveria nuk ka dëmshpërblyer ish të përndjekurit politikë.

“Kryeministri dhe përfaqësuesja e tij jodinjitoze në Shkodër, vazhdojnë të mashtrojnë të përndjekurit duke i thënë që po ia japim shpërblimin”, tha Topi.

PR mbyll fushatën në Korçë

Partia Republikane mbylli fushatën elektorale në Korçë ku përcolli mesazhin e fundit për qytetarët në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit.

“Eshtë e pafalshme. Ky njeri që pretendon të marrë pushtet, ta quajë Shqipërinë një vend në natë dhe jo në një vend në NATO. Sekretari Rumsfeld nga Tirana tha se shqiptarët e kanë merituar anëtarësimin në NATO, me punën e tyre, përkushtimin e tyre”, tha kreu i PR-së.

Mediu tha se Aleanca e Djathtë ka prioritet atë që shqiptarët meritojnë, punësimin, mirëqenien dhe integrimin evropian.

Topalli takon arsimtarët

Gjatë një bashkëbisedimi me arsimtarë në qytetin e Shkodrës, numri një i listës së kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike Jozefina Topalli ndau me mësuesit planin e demokratëve për arsimin. Topalli shprehu bindjen se më 23 qershor mësuesit do të zgjedhin alternativën e djathtë dhe jo atë të Edi Ramës.

“Nuk ka mësues, nuk ka njeri të shkolluar që të pranojë të ketë model njeriun që thotë për mësuesin injorant, për fëmijët të paditur dhe analfabetë dhe të thotë që modeli ynë është Tom Doshi”, tha Jozefina Topalli.

Kandidati i LSI, takime në Durrës

Kandidati për deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës, Lefter Koka zhvilloi një bashkëbisedim me qytetarë të cilëve u kërkoi të votojnë LSI-në për një të ardhme më të mirë.

“Gjithë sistemi ka degraduar dhe për pasojë produktiviteti është kjo që është rritur në mënyrë të tejskajshme varfëria, është rritur papunësia”, tha Koka.

Sipas kandidatit për deputet të LSI-së, më 23 qershor qytetarët duhet të votojnë për të luftuar varfërinë dhe papunësinë.

Shehi mbyll fushatën në Tiranë

Në Tiranë Dashamir Shehi ka mbyllur fushatën elektorale duke u kërkuar qytetarëve të votojnë LZHK-në si forcën politike që do t’i japë forcë të djathtës.

“Të fitojmë kohën e mjaftueshme për ato që nuk kemi bërë deri dje dhe për këtë ju kërkojmë falje, për njëkohësisht do të shkojmë për të votuar sepse alternativa tjetër ju e kuptoni kush është. Janë njerëz që patën gjithcka dhe nuk bënë asgjë”, tha Shehi.

Milo: Votoni masivisht

Partia Demokracia Sociale ka përmbyllur fushatën elektorale në Tiranë prej nga kryetari Paskal Milo u bëri thirrje qytetarëve të marrin pjesë masivisht në votime për t’i dhënë vendit qeverinë që mendon për ta.

“Të shkojmë në votime për të bërë ndryshimin e madh, ndryshimin e shumëpritur, atë ndryshim që do t’u sjellë shqiptarëve vërtetë atë që cka ata aspirojnë që të kenë më në fund, një qeverisje të përgjegjshme, një qeverisje që do të vënë në themel të veprimtarisë së vet, interesat e shumicës së shqiptarëve”, tha Milo.

Koçi: Të çlirojmë politikën nga e kaluara negative

Gjatë një bashkëbisedimi me banorë në Durrës, Petro Koçi ka kërkuar rotacionin për të çliruar politikën, siç u shpreh ai, nga e kaluara negative.
    
“Me rrëzimin e Sali Berishës ne clirojmë politikën nga e kaluara negative. Me fitoren e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Europiane dhe me votat për PSV 91 ne i japim mesazhin se duam një Republikë të re, duam një mirëqënie të garantuar për të gjithë dhe jo për një grusht njerëzish që vijnë rrotull qeverive”, tha Koçi.

Gjinushi, takime në Kamëz

Skëndër Gjinushi ishte në Kamëz, ku deklaroi se mandati për PSD-në është mandati i sigurt i të majtës.

“Mandati për PSD është një mandat për integrimin europian të vendit, është një mandat për të dalë nga kriza, antikorrupsioni dhe ësht ënjë mandat i sigurt i majtë. PSD ka qenë aleatja e vetme e të majtës, që nuk e ka lënë të majtën, as në pushtet, por as në opozitë”, tha Gjinushi.

Leskaj akuza Berishës

Në mbyllje të fushatës në qytetin e Selenicës kandidatja për deputete Valentina Leskaj ka akuzuar Kryeministrin e vendit Sali Berisha për mos mbajtje të premtimeve duke thënë se Selenica nuk e meriton këtë gjendje në të cilën ndodhet.

“Selenica nuk e meriton këtë. E kam dëgjuar këto ditë Sali Berishën të thotë që do t’i japim statusin minatorit. Po ku ka qenë për 8 vjet? Pse nuk ia dha këtë status kur ne e kemi kërkuar në Parlament”, tha Leskaj.

Top Channel