Fleckenstein: Situata në KQZ, shqetësuese

20/06/2013 00:00

Eurodeputeti social demokrat gjerman, Knut Fleckenstein deklaron se
situata e krijuar në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, ka ngjallur
shqetësim të madh tek partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian,
vecanërisht në Parlamentin Europian.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është një institucion që ka legjitimitetin për të çertifikuar rezultatet e zgjedhjeve. Prandaj është një papërgjegjshmëri e lartë që partitë pjesëmarrëse në këto zgjedhje kanë pranuar ta dobësojnë këtë institucion në një mënyrë që KQZ-ja nuk është më e aftë të kryejë funksionet e vet. Kjo situatë ka ngjallur shqetësim të madh tek partnerët e Shqipërisë në Bashkimin Europian, vecanërisht në Parlamentin Europian. Qeveria e Shqipërisë veproi në mënyrë të papërgjegjshme kur rrëzoi një anëtar të KQZ-së. Ky veprim është në kontradiktë me ambicien e deklaruar të saj për të qenë përsëri në pushtet dhe për të arritur progres në objektivat europiane të Shqipërisë”, thotë eurodeputeti.

Fleckenstein, anëtar i Parlamentit Europian nga Grupi i Aleancës Progresive të Socialistëve dhe Demokratëve, anëtar i Komitetit të Parlamentit Europian për Çështjet e Jashtme dhe aktiv në Ballkanin Perëndimor, kryesisht në Serbi, Kosovë dhe Shqipëri, në një intervistë për “Deutsche Welle”, flet për situatën e zgjedhjeve, ku ndër të tjera thekson se duhet një administratë zgjedhore e pavarur, e besueshme dhe efikase që të sigurojë që të gjitha partitë pjesëmarrëse në garë të zbatojnë të njëjta rregulla loje.

“Në rast se nuk ndodh kjo, si munden qytetarët ta besojnë rezultatin e zgjedhjeve, nëse ata nuk mund të besojnë në ndershmërinë e gjithë procesit zgjedhor?” shprehet Fleckenstein.

Pyetjes së “DW”, nëse ka një rrezik potencial që humbësi i këtyre zgjedhjeve,të kundërshtojë rezultatin e zgjedhjeve, fitimtarin, për shkak të situatës në KQZ, nëse ajo nuk do të zgjidhet, në dy ditët që kanë mbetur nga 23 qershori,  Fleckenstein u përgjigj: “Për fat të keq Shqipëria ka një histori zgjedhjesh të kontestuara. Dukej sikur me legjislacionin e ri zgjedhor që u adoptua, zgjedhjet e kontestuara do të mbeteshin në të shkuarën. Shqipëria dukej se qëndonte në shinën e duhur drejt më shumë stabiliteti politik. Ja, pse Komisioni Europian rekomandoi që t’i jepet Shqipërisë statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndonëse nuk ishin të kryera plotësisht të gjitha reformat e nevojshme. Komisioni rekomandoi vendosjen e një kushti kryesor dhe Këshilli Europian e konfirmoi këtë kusht: Shqipëria duhet të dëshmojë pjekurinë e saj politike duke mbajtur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Është shumë zhgënjyese për partnerët e Shqipërisë në BE, që partitë politike e kanë vënë në rrezik në mënyrë të panevojshme këtë test të rëndësishmëm lakmusi për Shqipërinë”.

Top Channel