Berisha: Votoni alternativën tonë

20/06/2013 00:00

Kryeministri Sali Berisha, duke folur në mitingun përmbyllës në Durrës,
ftoi qytetarët të votojnë alternativën demokratike, pasi kjo sipas
Kryeministrit ofron zhvillim, integrim, më shumë investime dhe
përmirësim të jetës së qytetarëve.

“Le të shkojmë në këto zgjedhje dhe të votojmë numrin 44, numrin që do të sjellë vijim të realizimit të projekteve tona madhore jo vetëm për Durrësin, por për gjithë Shqipërinë”, tha Berisha.

Kryeministri Sali Berisha, në takimin përmbyllës të fushatës në Kamëz, premtoi shndërrimin e kësaj zone në një qendër të
fuqishme të zhvillimit industrial.

“Projekti ynë për të ardhmen është Kamza industriale. Do të ndërtojmë dy parqe të mëdha industriale dhe punësim të qindra qytetarëve të Kamzës dhe Paskuqanit”, tha Berisha, duke premtuar po ashtu ndërtimin e universitetit të dytë në këtë qytet.

Kryeministri iu bëri thirrje votuesve që të mos i besojnë premtimeve të kreut të PS-së Edi Rama, pasi ai synon vetëm t’i mashtrojë zgjedhësit.

“Ai premton sot se do të bëjë legalizim falas të ndërtimeve, por nëse vjen në pushtet do të justifikohet me fjalët se: unë dua t’i legalizoj për nuk më le Gjykata. Ndaj ju ftoj që t’i bëni thirrje cdo njeriu afër jush që të mos i besojë këtyre mashtrimeve”, tha Berisha.

Më vonë Berisha udhëtoi drejt Kavajës nga ku premtoi përmirësim të jetës, investime në infrastrukturë, rritje të pagave dhe pensioneve dhe zhvillim të jetës së qytetarëve.

Berisha bëri thirrje për pjesëmarrje të lartë në zgjedhje dhe që vota e tyre të shkojë për numrin 44.

“Ju bëj thirrje çdo qytetari, fermeri, të riu e të reje që të votojnë alternativën tonë më 23 qershor, për të zhvilluar Kavajën dhe për ta bërë Shqipërinë fitimtare”, tha Berisha.

Gjate paradites se te enjtes, Kryeministri ishte ne Burrel dhe Klos, ne mitingjet permbyllese per qarkun e Dibres.

Top Channel